Investimi që individët shqiptarë kanë bërë në qendrat financiare offshore vitet e fundit duket se po jep “frytet” e veta.
Sipas Eurostat, në të dhënat për transfertat personale drejt Shqipërisë për vitin 2020, shuma e dërguar nga qendrat financiare offshore drejt individëve në Shqipëri ishte 3.8 milionë euro. Kjo shumë ishte gati katër herë me e lartë se një vit më parë dhe niveli më i lartë që nga viti 2017, kur kanë filluar të identifikohen transfertat nga qendrat financiare offshore drejt Shqipërisë.
Sipas përkufizimit global, “Një qendër financiare offshore (përtej detit), e njohur ndryshe si OFC, përkufizohet si një vend ose juridiksion që vë në dispozicion shërbimet financiare për jorezidentët me qëllim të anashkalimit të aspekteve të vendit ose juridiksionit të jorezidentit. Këto qendra financiare përgjithësisht përdoren si vendndodhje për kompanitë mbajtëse të aseteve për të kryer shmangien e taksave. Shumë shpesh, ato përdoren në mënyrë të paligjshme për evazion fiskal”.
Eurostat liston si qendra financiare offshore vendet e mëposhtme: “Andorra, Antigua and Barbuda, Anguilla, Aruba, Barbados, Bahrain, Bermuda, Bahamas, Belize, Cook Islands, Curaçao, Cayman Islands, Dominica, Grenada, Guernsey, Gibraltar, Hong Kong, Isle of Man, Jersey, St Kitts and Nevis, Lebanon, Saint Lucia, Liechtenstein, Liberia, Marshall Islands, Montserrat, Mauritius, Nauru, Niue, Panama, Philippines, Seychelles, Singapore, Sint Maarten, Turks and Caicos Islands, Saint Vincent and the Grenadines, Virgin Islands (British), Virgin Islands (U.S.), Vanuatu, Samoa”.
Shuma e transfertave personave që janë dërguar nga këto qendra financiare offshore është më e lartë sesa ajo e dërguar nga shtete të tilla si Holanda (3.2 milionë euo), Norvegjia (2.3 milionë euro), Bullgaria (1.2 milionë euro), etj, ku në këto të fundit përfshihen edhe transfertat e emigrantëve.
Pronarët e kompanive offshore kanë filluar të bëhen publikë
Në korrik të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”. Ligji në fjalë synonte të mundësonte transparencën mbi kontrollin e bizneseve në Shqipëri, në veçanti të atyre të lidhura me kompani guaskë të regjistruara jashtë vendit, sidomos në juridiksione të njohura si parajsa fiskale. Kontrolli mbi kompani me aksionerë të regjistruar offshore ka shkaktuar debate të mëdha në vitet e fundit, sidomos për ato subjekte që kanë përfituar kontrata të koncesioneve ose Partneritetit Publik-Privat.
Çështja e parë ishte parimi i transparencës mbi pronësinë. Lidhja e kontratave me kompani që nuk dihej se kujt i takonin shtronte problemin moral që një vend nuk mund t’i paguajë para publike pa ditur se cili është përfituesi përfundimtar i tyre.
Kjo praktikë shtonte dyshimet se shumë prej kompanive përfituese të koncesioneve ishin regjistruar offshore, pikërisht për të fshehur përfituesit e vërtetë, që shpesh janë përfolur si sipërmarrës shqiptarë me lidhje të dyshimta me politikanët. Gjithashtu, regjistrimi në juridiksionet offshore zakonisht shtron rreziqe të shtuara, të lidhura me evazionin fiskal, pastrimin e parave apo krime të tjera financiare.
Ngritja e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, sipas ligjit të ri, pjesërisht ka ndihmuar për të bërë transparencë lidhur me pronësinë, të paktën zyrtare, të disa prej kompanive koncesionare që veprojnë në vendin tonë. Ligji kërkon që çdo kompani të deklarojë aksionerët të cilët, në mënyrë direkte apo indirekte, zotërojnë më shumë se 25% të aksioneve në to.
Për shkak të problemeve në zbatim, afati i deklarimit të pronarëve përfitues është shtyre deri në prill të vitit të ardhshëm. Gjithsesi, një pjesë e madhe e kompanive kanë deklaruar ndërkohë pronarët përfitues.
Marrë nga Monitor.al