Lira turke vazhdoi rënien e saj të lirë, pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan hodhi poshtë paralajmërimet nga biznesi për rreziqet e uljeve të fundit të normave të interesit dhe u zotua se nuk kishte “kthim prapa” nga strategjia e tij, shkruan Financial Times.
Monedha, e cila ka humbur 50 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit që kur Erdogan urdhëroi bankën qendrore të niste uljen e kostove të huamarrjes në shtator, ra në një nivel të ri rekord prej 17.5 kundrejt dollarit pasi tregjet u hapën të hënën. Rënia me më shumë se 6 për qind e lirës ishte shumë më e fortë se nënçmimi prej 0.2 për qind për indeksin e gjerë të monedhave të tregjeve në zhvillim.
Në një shenjë që rrit shqetësimin për pasojat e rënies së monedhës në shëndetin e sistemit më të gjerë financiar, kostoja e mbrojtjes kundër një mospagimi të borxhit turk është rritur ndjeshëm. Diferenca e mekanzimit pesëvjeçar të mbrojtjes ndaj mospagimit të kredisë është rritur në 575 pikë bazë, nga rreth 300 pikë në fillim të vitit, sipas të dhënave të IHS Markit të mbledhura nga Refinitiv.
Erdogan e ka zhytur vendin e tij prej 83 milionë banorësh në një krizë valutore duke këmbëngulur në katër ulje të normave të interesit në katër muajt e fundit, pavarësisht rritjes së inflacionit. Kjo lëvizje ka qenë në drejtim të kundërt me trendin global, kur bankat e tjera qendrore në mbarë botën po kërkojnë të luftojnë paqëndrueshmërinë e çmimeve duke rritur normat.
Presidenti turk, i cili kundërshton teorinë ekonomike se ngritja e normave të interesit ndihmon për të luftuar inflacionin, hodhi poshtë paralajmërimet nga bota e biznesit për rreziqet e kësaj strategjie.
“Mos prisni asgjë tjetër nga unë,” tha ai në një fjalim televiziv të dielën mbrëma. “Si musliman, unë do të vazhdoj të bëj çfarëdo që kërkojnë dekretet fetare,” shtoi ai, duke iu referuar ndalimeve në Islam për kamatat.
Më herët gjatë ditës, ai gjithashtu hodhi poshtë sugjerimet se mund të detyrohej të vendoste kontrolle kapitali në një përpjekje për të ndaluar rënien e monedhës, duke e përshkruar idenë si “qesharake”.
Presidenti turk ka thënë se vendi po ndjek një “model të ri ekonomik” që do të përfitojë nga normat e ulëta dhe një monedhë konkurruese për të forcuar eksportet, investimet dhe punësimin.
Ekonomistët paralajmërojnë se kjo do të krijojë inflacion të paqëndrueshëm dhe paqëndrueshmëri të rrezikshme financiare në një vend që varet shumë nga financimi i huaj.
Norma zyrtare e inflacionit vjetor arriti në 21 për qind në nëntor dhe ekonomistët presin që ajo të rritet më tej në muajt në vijim pasi lira më e dobët transmetohet shpejt në çmime të larta, veçanërisht duke pasur parasysh përdorimin e konsiderueshëm të energjisë dhe lëndëve të para të importuara nga Turqia.
Në fjalën e tij të dielën mbrëma, Erdogan pranoi shqetësimet e publikut rreth rritjes së çmimeve, por i përshkroi problemet si të përkohshme – dhe i konsideroi ato si pjesë të një lufte kombëtare për pavarësi ekonomike.
“Sigurisht që ne e dimë që rritja e çmimeve po shkakton probleme në jetën e përditshme të njerëzve tanë. Sigurisht që jemi të vetëdijshëm për luhatshmërinë e kursit të këmbimit, paqëndrueshmërinë e çmimeve dhe pasigurinë që krijon kjo”, tha ai.
“Por ne do t’i rezistojmë këtyre ashtu siç i rezistuam tutelës, organizatave terroriste, puçistëve dhe baronëve të fuqisë globale. Unë po ju them, nuk ka kthim prapa”.
Ai sulmoi Tusiad, shoqatën më të madhe të biznesit në vend, e cila të shtunën i kërkoi qeverisë t’i kthehej “rregullave të vendosura të shkencës ekonomike” për të rivendosur stabilitetin dhe për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të biznesit dhe publikut.
“Hej Tusiad dhe pasardhësit tuaj,” tha ai. “Po ju them, ju keni një punë: investime, prodhim, punësim, rritje. . . Ju nuk mund të ndërhyni në atë që ne po bëjmë.”
Një ditë më parë, kreu i Unionit të Dhomave dhe Bursave të Mallrave të Turqisë (TOBB), i cili përfaqëson bizneset e vogla dhe të mesme dhe në të kaluarën ka qenë mbështetës i qasjes së Erdoganit, paralajmëroi se turbulenca financiare ishte “shqetësuese dhe ndikon negativisht në shumë prej kompanitë tona”.
Rifat Hisarciklioglu, presidenti i TOBB, i bëri thirrje qeverisë të ndërmarrë “hapa urgjent” për të stabilizuar tregjet dhe për të rivendosur një mjedis më të parashikueshëm për biznesin.
Marrë nga Monitor.al