Kryeministri i Kosovës Albin Kurti uroi të gjithë besimtarët e krishterë në vend për festën e Krishtlindjes. Kreu i qeverisë e shoqëroi mesazhin e urimit me foton nga zyra e tij me dritat fikur. Qëllimi i Kurtit është sensibilizimi i qytetarëve të vendit për të kursyer energjinë elektrike në kohën kur qeveria e tij ka shpallur krizën energjitike në vend.
MESAZHI I ALBIN KURTIT PËR FESTËN E KRISHTLINDJES:
Vëllezër e motra të krishterë, gëzuar!
Ju uroj nga zemra mbarësi! Ju uroj një mbrëmje të shkëlqyer në ngrohtësinë familjare dhe të miqve. Qoftë një vit i suksesshëm për të gjithë ju.
Besoj se jemi të ndërgjegjshëm bashkarisht për kushtet në të cilët na ka vendosur pandemia, për realitetin kompleks global, për krizën energjetike, ku dritën e gjejmë nëpër festa të këtilla. E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim.
Besimi është themeli që na e ofron çdo fe neve si popull, andaj dhe ne e respektojmë njëri-tjetrin, në fe e në praktikë. Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut. Pasuria jonë kulturore, rrënjosur në traditën tonë popullore, në vetëdijen tonë kolektive për një fat të përbashkët.
Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz.
Shpreh besimin e thellë se si shoqëri ne do të punojmë që urimet që ju i adresoni sot njëri-tjetrit, si dhe urimet që ne u adresojmë sot juve, të marrin në vitin e ardhshëm sa më shumë realitet.
Gëzuar Krishtlindja!