Shteti i Kosovës është duke përgatitur një ligj, i cili do të përcaktojë rregullat e përdorimit të parave dixhitale brenda territorit të saj.
Kurse, ministrja e Ekonomisë ka marrë vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, si masë emergjente në përballje me krizën energjetike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë ka marrë vendim për masat emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë që tashmë e ka kapluar vendin. E gjithë kjo ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vetë Ministria e Ekonomisë.
Si rrjedhojë, këto masa përfshijnë edhe ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë territorin e Kosovës, pasi shpenzojnë shumë energji për prodhim.
Në një njoftim në uebfaqen zyrtare të ministrisë, ajo ka njoftuar se të gjitha institucionet e rëndësishme detyrohen të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave si dhe ta ndalojnë menjëherë aktivitetit në fjalë.
“Këto masa përfshijnë ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë teritorin e Republikës së Kosovës, ku obligohen të gjitha insititucionet relevante të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave dhe të ndalojnë aktivitetin në fjalë”, thuhet tutje në njoftim.
Kujtojmë se propozimi i ministrisë për masat emergjente, parashihte ndërmarrjen e masave specifike, por edhe themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë.
Komiteti Teknik i formuar nga ministria, përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si; Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurencës (AKK).
Ky komitet është paraparë t’i identifikojë dhe të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marrë vendime dhe do të publikojë masa kufizuese.
Pos kësaj, në një njoftim nga ministria ditë më parë, thuhej se duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë.
Fenomeni i kriptovalutave është tema më aktuale në financa. Me gjithë rritjen dhe rënien e vlerës së tyre, kosovarët po vazhdojnë të blejnë kriptovaluta.
Nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) kanë bërë të ditur se për pesë vjet, transaksionet për të blerë kriptovaluta janë rreth 10 milionë euro.
“Bazuar në informatat të cilat i posedon BQK-ja, që kanë të bëjnë me shitblerjen e kriptoaseteve, gjatë viteve 2016-2021 transaksionet dalëse janë në shumën prej 10 milionë eurosh, ndërsa transaksionet hyrëse janë në shumën prej 1.76 milionë euro. Këto transaksione nuk përfshijnë transaksionet potencialisht të realizuara jashtë sektorit formal”.
Nga BQK-ja, kanë treguar se në Kosovë nuk ka zyre të licencuar për shitblerjen e kriptovalutave.
“BQK deri më tani nuk ka licencuar asnjë subjekt për shitblerjen e kriptoaseteve, pasi qarkullimi i tyre nuk është i rregulluar me kornizën ligjore apo rregullative të BQK-së që është në fuqi”.
Kurse, Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura”.
“Me fokus të veçantë, ATK-ja do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat”, ishte thënë në njoftimin e ATK-së.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë se tashmë ka përfunduar edhe një pjesë e dëgjimit publik që ë trajtojnë këtë problematikë.
“Ne si komision parlamentar, pasi që veprimtaria e kritpovalutave përfshihet në domenin e komisionit tonë, kemi pasur një nismë ligjore, kemi filluar, kemi hartuar grupin punues dhe parimisht kemi bërë një pjesë të dëgjimit publik të komunitetit që e trajtojnë këtë problematikë nga çështja e bizneseve dhe këndi i institucioneve që kanë interesim të trajtojnë këtë.
Jemi në punë e sipër, ende jemi shumë larg për shkak të specifikave dhe për shkak të interesimit tonë si parlamentarë për të, pas një ligj i cili vërtetë është në shërbim të asaj që ne e dëshirojmë, por që nuk mund ta them kohën. Do të thotë se jemi në procedurë të hartimit të ligjit”.
Shqipëria tashmë e ka rregulluar me bazë ligjore përdorimin e kriptovalutave. Në muajin shtator të vitit të kaluar, ajo ka miratuar Ligjin për tregjet financiare, të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.
Ligji e rregullon tregun e monedhave digjitale dhe virtuale, duke nisur nga licencimi i subjekteve që do të ushtrojnë një aktivitet të tillë deri te kushtet e tregtimit të kësaj monedhe.
Marrë nga Monitor.al