Filmi “Don’t Look Up” i Adam McKay, ku interpretojnë Leonardo DiCaprio dhe Jennifer Lawrence si një çift shkencëtarësh që përpiqen të bindin botën të marrë seriozisht një astroid, ka thyer rekorde në Netflix.
Në javën e dytë në Netflix, filmi ka regjistruar 152,290,000 orë transmetim ndërmjet 27 dhjetorit dhe 2 janarit, duke e vendosur atë në krye të renditjes së filmave në gjuhën angleze të shikuar globalisht.
“Don’t Look Up”, në të cilin gjithashtu interpreton Meryl Streep, Cate Blanchett, Jonah Hill dhe Timothée Chalamet, u shfaq në kinema më 10 dhjetor përpara se të debutonte në platformë 14 ditë më vonë.
Në dy ditët e para në Netflix ai regjistroi 111,030,000 orë shikime.
“Jam i befasuar nga kjo”, iu përgjigj McKay lajmit në Twitter. Në vendin e dytë për javën është “The Unforgivable” me Sandra Bullock, që regjistroi 21.3 milionë orë shikime, i ndjekur nga “The Lost Daughter”, i cili regjistroi 18.3 milionë orë.