Në veri të vendit do të shtohen tre mole për t’i shërbyer sa më mirë turizmit me fokus kryesisht pasagjerët.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit pas studimeve që u hartuan me asistencën e projektit të Bashkimit Europian ka hapur së fundmi procedurën për përzgjedhjen e kompanisë që do të zbatojë këtë nismë. Bëhet fjalë për rehabilitimin e kalatave në Zogaj, Shirokë dhe Shkodër sipas programit Interreg IPA CBC Iltali, Shqipëri dhe Mal i Zi. Në këtë fazë nga kompanitë e interesuara do të pranohen vetëm aplikimet që janë faza e parë e interesit për zbatimin e projektit.
Por çfarë parashikohet në një panoramë më të gjerë?
Sipas dokumentit synohet të rritet lidhja multimodale e transportit detar midis zonave të programit, si dhe të prezantohen rrugë të reja detare multimodale.
Projekti i detajuar për rehabilitimin/ndërtimin e tre kalatave/moleve nga një në Shkodër, Shirokë dhe Zogaj sipas vlerësimit të ndikimit në mjedis hartuar vitin e shkuar përqendron vëmendjen në efektin që do të ketë kjo nismë tek turizmi i cili është sektor i rëndësishëm për këtë rajon.
“Turistët që e vizitojnë zonën e Projektit (Shirokë dhe Zogaj) ndahen kryesisht në dy kategori – i) vizitorë ditorë, duke vizituar zonën për kohë të lirë dhe mjete rekreative, dmth shëtitje, çiklizëm, ngrënie në restorante, etj. dhe II) vizitorët (turistët) që qëndrojnë më gjatë dhe përdorin hotelet dhe objektet e sektorit privat. Drejtoria e turizmit të Bashkisë së Shkodrës ka konfirmuar se numri i vizitorëve shqiptarë në zonën e Projektit vlerësohet të jetë rreth 120,000 persona/vit. Numri i netëve të kaluara nga vizitorët shqiptarë vlerësohet të jetë 5000 net/vit. Ndërsa, numri i turistëve të huaj është modest dhe vlerësohet të jetë 800 net/vit” thuhet në VNM-në e publikuar.
I njëjti saktëson se teksa interesi është për të ndërtuar mole të përshtatshëm për makina dhe pasagjerë në Zogaj nga studimi i terrenit rezulton se është më e përshtatshme që moli të mbetet vetëm për pasagjerë pasi në të kundërt do të kërkonte investime shtesë në rrugë deri në Shirokë.
“Pas tenderit për rilevimin batimometrik, u publikua një raport i dytë i datës maj 2020, i titulluar “Studimi batimetrik i Projektit të Liqenit të Shkodrës, Raport Teknik” ku trafiku i anijeve ndahet vetëm në pasagjerë (faqe 50) dhe pasagjerë + automjete (faqe 51) . Ky raport tregon më tej se në Zogaj, megjithëse zona ka akses të mirë në ujërat e thella (>4.0 m), shkarkimi i automjeteve në Zogai do të kërkonte zgjerimin e rrugës deri në Shirokë. Si përfundim, Zogaj është më i përshtatshmi vetëm për ulje pasagjerësh” argumentohet në dokument.
Marrë nga Monitor.al