Të mërkurën Ministria e Financave zhvilloi ankandin e radhës të emetimit të obligacioneve 10 vjeçare.
Ankandi konfirmuan një interes të konsiderueshëm të investitorëve, por edhe qëndrueshmërinë e normave të interesit pavarësisht presioneve në rritje inflacioniste.
Kuponi ose norma fikse e interesit të obligacioneve rezultoi në nivelin 5.1%, me një rritje të lehtë nga niveli 5% i ankandit të mëparshëm të zhvilluar gjatë vitit 2021 dhe që ishte njëkohësisht edhe kuponi indikativ i ankandit. Nga 5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga qeveria, në ankand u paraqitën kërkesa totale për një shumë prej pothuajse 7 miliardë lekësh. Në fund, Ministria e Financave vendosi të pranojë një shumë më të madhe se ajo e shpallur, për një shumë totale prej gati 5.5 miliardë lekësh. Vendimi për të emetuar një vlerë obligacionesh edhe më të lartë se parashikimi dhe për të pranuar më shumë kërkesa mund të ketë ndikuar në një rritje të lehtë të kuponit, por, nga ana tjetër, tregon se Ministria e Financave e ka gjykuar të kënaqshëm çmimin e kërkuar nga tregu për këto instrumente.
Pritshmëritë për një rritje graduale të normave të interesit, duke filluar nga viti 2022, janë një shtysë e rëndësishme drejt instrumenteve me afat të gjatë maturimi, për të shfrytëzuar kushtet ende të favorshme të tregut. Një qasje të ngjashme Ministria e Financave ka ndjekur shpesh në vitet e fundit në ankandet e instrumenteve afatgjata, duke financuar shuma më të larta se ato të shpallur paraprakisht. Instrumentet afatgjatë, me maturim mbi një vit, vitin e kaluar përbënin rreth 65% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë qendrore, nga 51% që zinin në vitin 2013.
Obligacionet 10 vjeçare ngelen një nga instrumentet për fitimprurëse të investimit financiar në monedhën vendase dhe kjo e shpjegon pjesëmarrjen relativisht të lartë në ankand, pot ë kemi parasysh horizontin kohor mjaft afatgjatë të investimit. Kthimet e lartë në këto ankande tërheqin jo vetëm investitorët institucionalë, por edhe individët që kërkojnë kthime më të larta nga kursimet e tyre, në kushtet kur normat e interesit janë pranë niveleve më të ulëta historike. Për 9muajt e parë të vitit të kaluar individët investuan në obligacione 6.1 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e investimeve të individëve në obligacione është rritur me 54%. Obligacionet përbëjnë rreth 47% të investimeve totale të individëve në tregun primar të letrave të borxhit qeveritar.
Ruajtja e niveleve të qëndrueshme të normave të interesit edhe për instrumentet afatgjata është një tregues i mëtejshëm se tregu financiar nuk percepton alarm nga nivelet në rritje të inflacionit. Edhe ankandet e instrumenteve me afate më të shkurtra maturimi në këtë periudhë kanë provuar një ecuri të qëndrueshme të yield-eve.
Marrë nga Monitor.al