Apeli i Gjykatës së Posaçme do të vendosë sot për fatin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Vendimi pritet të jepet rreth orës 13:00, ndërsa në seancën e kaluar, më 31 janar, SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin e po ashtu edhe për Jaeld Çelën. Në rast se GJKKO pranon kërkesën e SPAK, Tahiri përfundon sot në qeli, në të kundërt do të mbetet në fuqi dënimi aktual për shpërdorim detyre, ose merr pafajësi.
Kujtojmë se vendimi më 28 shtator i Gjykatës së Lartë e rikthye për rigjykim çështjen me trupë të re drejtuese. Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar.
Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.
Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri. Në bazë të këtyre fakteve gjykata vendosi dënimin me 3 vite shërbim prove.