Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rrëzuar kërkesën e kreut të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani për të vendosur procedim disiplinor ndaj prokurores Elina Kombi.
Kombi ishte prokurore e çështjes së të ndjerit Bilbil Hasani, i cili u vetëvra në qelitë e burgut pasi ishte arrestuar për vjedhjen e 1200 lekëve të rinj.
Më 21 shkurt, Hasani me origjinë nga Kukësi dhe banues në Kamzë i dha fund jetës në qelitë e burgut duke u vetëvarur me çarçaf.
Hasani, babai i 4 fëmijëve, ishte arrestuar në vitin 2019 për kryerjen e veprës penale “vjedhje”.
NË BURG SE VODHI NJË PORTOFOL
Bilbil Hasani akuzohej për vjedhje, ndërsa gjykata kishte vendosur që ta linte atë në burg, pavarësisht faktit se ai ishte me kartelë mjekësore dhe merrte ndihme me medikamente. Duke u kthyer pas në kohë, në orën 10:00 të datës 8 dhjetor të vitit 2019-të, 43-vjeçari u kap nga policia, pasi shtetasi me iniciale A. D., e ka kallëzuar Hasanin se i kishte vjedhur portofolin teksa ishin në autobus. Pikërisht këtu nis historia e dhimbshme e familjes Hasani. Bilbili, ishte babai i katër fëmijëve dhe prej 20 vitesh ishte invalid dhe trajtohej me kemp.
Bilbili gjendej në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2019-të, pasi akuzohej për vjedhjen e një shume të hollash në vlerën 120 mijë lekë të vjetra. Po si e morën vesh lajmin e vdekjes së njeriut të shtrenjtë familjarët e Hasanit?! Mëngjesin e asaj dite të trishtë zonja Hasani, kishte shkuar për ta takuar bashkëshortin, por takim nuk u realizua kur. Ajo u njoftua nga personeli i burgut se i shoqi kishte varur veten me çarçaf. Por vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur dhjetra raste të tipit ku të burgosurit në burgjet e vendit, në rrethana të errëta kanë gjetur vdekjen.
REAGON ILD
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë thotë se hetimit ndaj prokurores erdhi pas vetëvrasjes së Hasanit duke kërkuar masën “Vërejtje publike”, pasi magjistratja nuk ndërmori asnjë veprim për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të ndaluarit.
“Në përgjigje të interesimit të gazetarëve mbi arsyet e procedimit disiplinor të kërkuar për prokuroren e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, E.K., Inspektori i Lartë i Drejtësisë sqaron se hetimi ka nisur pas publikimit në media të vetëvrasjes së të ndaluarit Bilbil Hasani, në paraburgimin e 313.
Pas përfundimit të hetimit, ILD i paraqiti Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesë për procedim disiplinor ndaj magjistrates dhe propozoi masën “Vërejtje publike”, bazuar në gjetjet se magjistratja nuk ndërmori asnjë veprim për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të ndaluarit, edhe pse u paraqit një vlerësim mjekësor, se personi vuan nga sëmundje e llojit “Skizofreni tipi Paranoid“.
Për një rast të tillë, Kodi i Procedurës Penale (nenet 43, 182, 259, 327/6 shkronja a, 328/1 dhe 329/a) e detyron prokurorin të kryejë një sërë veprimesh proceduriale, përfshi këtu edhe verifikimin e gjendjes mendore të të pandehurit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në pritje të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për këtë rast, për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm”- thuhet në reagim.