Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka dhënë një goditje edhe për ato pak kompani të regjistruara rregullisht në Shqipëri si agjentë të bursave online. Në mbledhjen e fundit të muajit janar, Bordi i AMF ka vendosur heqjen e njohjes dhe çregjistrimin si agjent i lidhur i brokerit të huaj të kompanive Vertex Securities dhe Eurotrade Securities, ndërsa ka pezulluar me një afat tremujor kompaninë tjetër Prodata Securities.
AMF nuk ka bërë publike shkaqet për marrjen e masave të mësipërme ndaj këtyre kompanive. Në tetor të vitit të kaluar, AMF i kishte hequr licencën si agjent i lidhur i brokerit të huaj edhe shoqërisë “OnTop-Securities.
Sipas informacionit në Regjistrin Tregtar, Vertex Securities është kompani me kapital shqiptar, me aksioner të vetëm Ilir Ndreka, Eurotrade Securities është gjithashtu kompani shqiptare, me aksioner të vetëm Florin Deda, ndërsa Prodata Securities është kompani me capital të huaj, e zotëruar nga shoqëria RDA Services Limited. Sipas regjistrit të pronarëve përfitues, pas kësaj kompanie qëndrojnë tre shtetas izraelitë, Uri Fremder, Daniel Fremder dhe Ron Fremder.
Kompanitë e këtij lloji veprojnë si agjentë të platformave të huaja të investimit dhe zyrtarisht kanë si objekt aktiviteti ofrimin e shërbimeve të marketingut me qëllim promovimin e shërbimeve te investimit dhe instrumenteve financiare te ofruara nga një broker i licencuar në fushën e titujve. Në parim, ato funksionojnë si kompani call center, që kontaktojnë klientë potencialë nëpërmjet telefonit dhe kanë në fokus kryesisht shtetasit e huaj. Këto kompani punësojnë mijëra të rinj dhe, për ata që janë më të aftë në joshjen e investitorëve, mundësojnë pagesa tejet të mëdha, që shpesh mund të arrijnë në dhjetëra mijëra euro në muaj.
Por, shumë prej këtyre kompanive zhvillojnë aktivitet financiar të jashtëligjshëm, duke u kamufluar si call center të zakonshëm apo në formën e aktiviteteve të tjera. Hetimet dhe dëshmitë e të punësuarve në to kanë evidentuar se disa prej këtyre kompanive angazhohen në skema të mirëfillta mashtrimi, ku synimi nuk është thjesht përfitimi i komisionit mbi një investim real, por zhvatja e fondeve të investitorëve.
Në muajt e fundit, në këtë fushë madje janë kryer edhe disa arrestime të individëve të përfshirë në këto aktivitete. Jo më larg se këtë të mërkurë, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e dy personave në Durrës, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.
Në fund të vitit të kaluar, autoritetiet shqiptare mbyllën kompaninë RG Capital dhe arrestuan pronarin e saj, edhe ky një shtetas izraelit i quajtur Rafael Genish, për veprën penale të mashtrimit.
Marrë nga Monitor.al