Numri i kartave bankare në Shqipëri u rrit me 4.4% vitin e kaluar.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2021 sektori bankar raportonte rreth 1.32 milionë karta bankare aktive.
Numri i përgjithshëm i kartave bankare vazhdon të dominohet nga kartat e debitit të lidhura me llogaritë rrjedhëse të klientëve, që përbëjnë rreth 86% të totalit. Pjesa e mbetur ndahet mes kartave të kredititi dhe kartave me funksion paraje elektronike.
Norma më e lartë e rritjes për vitin e kaluar u shënua pikërisht në segmentin e kartave të debitit, që u zgjeruan me 4.8% krahasuar me një vit më parë. Rritja e numrit të kartave të debitit është një tregues i tërthortë i rritjes së depërtimit të shërbimeve bankare bazike, duke qenë se këto karta janë instrument i lidhur me llogaritë rrjedhëse. Ndërkohë, numri i kartave të kreditit për vitin e kaluar u rrit me ritme më të ngadalta, me 2.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, sektori bankar shqiptar raporton më pak se 112 mijë karta krediti.
Paralelisht me rritjen e numrit të kartave, vitin e kaluar vijoi zgjerimi i infrastrukturës së pagesave të lidhur me përdorimin e tyre. Në fund të vitit 2021, numri i bankomateve (ATM) arriti në 822, niveli më i lartë që prej vitit 2015. Krahasuar me vitin 2020, numri i ATM-ve aktive është rritur me 11%. Në periudhën 2016-2019, numri i ATM-ve ishte reduktuar ndjeshëm, edhe për shkak të konsolidimit të sektorit bankar, që e uli numrin e përgjithshëm të bankave nga 16 në 12.
Por, që nga viti 2020, numri i ATM-ve ka filluar të rritet sërish, i shtyrë edhe nga efektet e pandemisë, që shtuan nevojën për një automatizim më të madh të shërbimeve të pagesave. Përveç funksionit klasik të tërheqjes së parasë cash, ATM-të që po instalohen vitet e fundit (kryesisht ATM-të që vendosen në degët e bankave) ofrojnë edhe shërbimin e depozitimit të parave. Tashmë, 30% e ATM-ve mundësojnë edhe depozitimin e parave, përveçse tërheqjen e tyre.
Ndërkohë, numri i pikave elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS) vitin e kaluar arriti nivelin më të lartë historik. Sipas Bankës së Shqipërisë, tashmë bankat kanë aktive 13 741 pajisje POS, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë. Shtimi i pajisjeve POS është një tregues i një përdorimi më të madh të kartave për pagesa automatike dhe jo më vetëm për nevoja të tërheqjes apo depozitimit të parasë fizike.
Pagesat me kartë në terminale POS vitin e kaluar arritën shifrën rekord të 34.9 miliardë lekëve, me një rritje prej 37% krahasuar me vitin 2020. Edhe pesha e pagesave me kartë në POS ka arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë, me rreth 11.5% të totalit, nga 10.2% që kishte qenë një vit më parë. Sidoqoftë, shifrat tregojnë qartë se në pjesën dërrmuese shqiptarët vazhdojnë ta përdorin kartën bankare kryesisht për veprime me paranë cash./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al