Në fillim të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dha një tjetër paralajmërim për rritje të afërt të normës bazë të interesit, si përgjigje ndaj përshpejtimit të inflacionit në muajt e fundit.
Por, tregu financiar vendas vazhdon të mos ndikohet shumë nga një pritshmëri e tillë dhe normat e interesit në të gjitha segmentet ngelen pranë niveleve më të ulëta historike. Një nga tregjet më të ndjeshme ndaj kahut të politikës monetare në teori duhet të jetë tregu primar i letrave të borxhit të qeverisë.
Por, në fakt, normat e interesit në këtë treg ngelen të qëndrueshme dhe me luhatje minimale. Në ankandin e kësaj jave, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.58%, me një rritje të papërfillshme nga niveli prej 1.57% i ankandit të mëparshëm. Ndërkohë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 3-mujore pësoi madje rënie në 0.85%, nga 0.96% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Madje, as titujt me afat më të gjatë maturimi nuk duket se po shfaqin ndonjë tendencë drejt rritjes së yield-eve. Në rihapjen e ankandit të obligacioneve dyvjeçare të javës së kaluar, yield-i rezultoi në nivele të ngjashme me ankandet e mëparshme.
Në vendet me tregje financiare më të zhvilluara, normat e interesit të titujve qeveritarë në përgjithësi i paraprijnë lëvizjeve të bankave qendrore. Kjo do të thotë se pritshmëritë për rritje apo ulje të normave të referencës materializohen në yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverive. Një tendencë e tillë ka nisur në vërehet në muajt e fundit në titujt e shteteve të Eurozonës, megjithëse Banka Qendrore Europiane ende nuk ka ndërmarrë rritje të normave të interesit. Tregu shqiptar në këtë pikë duket më pak i ndjeshëm ndaj pritshmërive.
Madje, as rritja e sasisë së huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar duket se nuk i ka ndikuar shumë ekuilibrat e tregut. Gjendja likuide e sektorit financiar po mbështet një qëndrueshmëri të normave të interesit të borxhit. Për momentin, ruajtja e normave të ulëta të interesit po favorizon qeverinë shqiptare, por në mënyrë të tërthortë të gjithë huamarrësit afatgjatë në ekonomi.
Epoka e gjatë e normave të ulëta të interesit ka ndihmuar shumë huamarrës publikë dhe privatë të menaxhojnë nivele relativisht të larta të borxhit. Edhe në Shqipëri në vitet e fundit ka pasur një rritje të huamarrjes, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori privat e kryesisht nga individët. Një rritje e shpejtë e normave të interesit, e gërshetuar edhe me efektet e inflacionit të lartë, mund të cenojë aftësinë paguese të huamarrësve. Megjithatë, në pritje për të kuptuar më shumë rreth përmasave dhe kohëzgjatjes së valës inflacioniste, tregu po reagon në mënyrë të përmbajtur dhe, me sa duket, rritja e normave të interesit ka gjasa të jetë graduale./MONITOR