Trageti i linjës Greqi-Itali, ‘Euroferry Olympia’ është përfshirë nga flakët rreth orës 04:30 mëngjesin e sotme. Raportohet se dy persona janë të bllokuar dhe janë në “luftë” me zjarrin, ndërsa 10 të tjerë janë të zhdukur. Mësohet se flakët kanë shpërthyer menjëherë pas nisjes nga porti grek ndërsa shkaqet janë ende të paqarta.
Trageti ishte nisur për në Brindizi të Italisë ndërsa Report Tv ka siguruar edhe pamjet nga Korfuzi, mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku shihet qartë tymi i shkaktuar nga flakët në traget. Në bord ishin 239 pasagjerë ndërsa 51 ishin anëtarë të ekuipazhit. 279 persona janë evakuuar me tre varka drejt Korfuzit, ndërsa ende nuk dihet fati i 11 -të të tjerëve,
Lajmin e ka bërë me dije policia portuale greke, e cila ka kontaktuar rojet bregdetare italiane. Disa nga pasagjerët shprehen se flakët kanë nisur nga garazhet e tragetit, ndërsa disa të tjerë thonë se në garazhe ka pasur edhe shoferë kamionësh të cilët kanë qenë në gjumë.
“Ajo që përjetuam ishte një makth”, tha njeri prej pasagjerëve të evakuuar.
Nga ana tjetër, banorë të ishullit të Korfuzit kanë treguar se fillimisht panë tymin që dilte nga anija në flakë e më pas kanë dëgjuar edhe shpërthime. Mediat greke bëjnë me dije se 3 helikopterë ndodhen në zonën detare, ndërsa po ashtu është edhe një anije tjetër.
Flakët janë vënë tashmë nën kontroll, teksa po hetohet për të mësuar shkaqet e rënies së zjarrit.