Qeveria e Kosovës mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës ku deputetë të pozitës dhe opozitës kërkuan vëmendjen e qeverisë sa i përket situatës në Ukrainë.
Kurti shtoi se Kosova do të jetë “përherë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”. Kurti falënderoi deputetin e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe deputetin e LVV-së, Haki Abazi për qëndrimet e tyre rreth situatës në Ukrainë.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës gjithashtu ka reaguar në mbështetje të Ukrainës duke bërë thirrje për ndalje të Putinit.
Në një reagim në Twitter, MPJD ka thënë se Putin ka bërë dhe po bën luftëra kundër demokracisë në Evropë.
“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putini edhe njëherë po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagim.