Normat e interesit të instrumenteve të borxhit të brendshëm publik shënuan një minimum të ri historik në fund të vitit 2021.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar zbriti në nivelin 3.53%, nga 3.65% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vala inflacioniste e tremujorit të fundit 2021 nuk u reflektua në çmimin e ofruar nga investitorët në letrat e borxhit të qeverisë, madje në terma mesatarë yield-et pësuan një rënie të mëtejshme. Presioni mbi normat e brendshme të interesit u ul më tej nga strategjia e qeverisë shqiptare për të shfrytëzuar për të dytin vit radhazi tregjet e huaja financiare për huamarrje të re.
Eurobondi prej 650 milionë eurosh uli më tej presionin mbi tregun e brendshëm financiar, duke ndihmuar në ruajtjen e yield-eve të ulët. Daljet periodike në tregjet financiare ndërkombëtare për emetimin e eurobondeve kanë bërë që aktualisht borxhi i jashtëm të arrijë në rreth 49% të stokut total të borxhit publik, nga 43% që zinte një dekadë më parë. Letrat me vlerë të qeverisë ngelen instrumenti kryesor benchmark në tregun financiar shqiptar, ndaj interesat e ulëta ndikojnë në terma mesatarë edhe koston e huamarrjes për sektorin privat të ekonomisë.
Por, sinjalet e dhëna në mbledhjet e fundit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë tregojnë se politika monetare këtë vit do të fillojë të lëvizë drejt normalizimit, duke nënkuptuar një rritje graduale të normave referuese të interesit. Yield-et e titujve të borxhit të qeverisë në teori do të jenë të parat që do të reflektojnë lëvizjet e politikës monetare, ndaj, me shumë të ngjarë, edhe yield-i mesatar do t’i kthehet rritjes këtë vit.
Sidoqoftë, qeveria shqiptare e ka shfrytëzuar periudhën e normave të ulëta të interesit për të menaxhuar nivele relativisht të larta të borxhit publik, duke zgjatur paralelisht edhe maturitetin e instrumenteve të borxhit. Në fund të dhjetorit 2021, maturiteti mesatar i letrave të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm ishte 793 ditë, me një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë, kur maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm raportohej 783 ditë.
Po të përjashtojmë titujt e mbajtur nga Banka e Shqipërisë, që blen vetëm instrumente afatshkurtër, maturiteti mesatar arriti në 862 ditë, nga 845 ditë që kishte qenë një vit më parë. Pas vitit 2014, qeveria shqiptare nisi një proces të zgjatjes së maturitetit mesatar të instrumenteve të borxhit, me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit dhe shfrytëzimin e normave të ulëta të interesit që ofrojnë tregjet financiare.
Kjo është bërë duke rritur peshën e instrumenteve afatgjata në emetimet e reja. Në nëntor të vitit 2021, qeveria shqiptare emetoi për herë të parë edhe obligacione me maturim 15 vjeçar, instrumenti më afatgjatë i borxhit të brendshëm publik deri më sot. Në fund të vitit 2021, instrumentet afatgjatë, me maturim mbi një vit, përbënin rreth 68% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë qendrore, nga 51% që zinin në vitin 2013.
Borxhi publik në fund të vitit 2021 arriti vlerën e 1.38 trilionë lekëve, shumë që Ministria e Financave e vlerëson sa rreth 78.15% e Prodhimit të Brendshëm Bruto./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al