TIRANË– Pas paralajmërimit të Shoqatës së Transportit Urban për të ndërprerë shërbimet për shkak të vështirësive ekonomike, kësaj here është Unioni i Transportit ai që njofton se për muajin mars nuk do të ketë biletë pajtimi mujor, ose abone. Operatorët kanë lënë një shteg të hapur për t’u rikthyer me të gjitha shërbimet në rast se përmbushen pritshmëritë e tyre.
Me një njoftim të shkurtër ku vënë në dijeni qytetarët se janë detyruar të ndërmarrin këtë hap pas kërkesave të rëna në vesh të shurdhër, Unioni i Transportit Publik e thotë qartë se e ka të pamundur të operojë normalisht duke ofruar të gjitha shërbimet.
“Në vijim të shkresave dërguar të gjitha institucioneve vendimmarrëse në lidhje me problematikat e transportit publik qytetas në nivel kombëtar, që kanë të bëjnë me pamundësinë financiare të operimit normalisht, informojmë qytetarët se në mungesë të një ndihme reale nga qeveria, janë të pamundur për të ofruar të gjitha shërbimet e këtij aktiviteti. Sa më sipër, për muajin mars, nuk mund të ofrohet si shërbim me bileta të pajtimit mujor (ABONE), pasi aktiviteti që ne përfaqësojmë ndodhet në kolaps ekonomik. Mbetemi ende me shpresën e një zgjidhjeje të kësaj situate sipas premtimeve të bëra”, citohet në njoftimin e shpërndarë nga unioni për mediat.
Shoqata e Kombëtare e Transportit Qytetas deklaroi se rritja e çmimit të naftës shtoi vështirësitë e operatorëve, dhe për të kompensuar humbjet, është i domosdoshëm miratimi i kërkesave të tyre fiskal.