Pasi janë ballafaquar me një nivel të paprecedentë sanksionesh ndaj Rusisë, bankat globale po tregohen shumë të kujdesshme për sa i përket lidhjeve tregtare me të gjitha entitetet ruse dhe po largojnë klientët nëse kanë qoftë edhe dyshimin më të vogël për lidhjet e tyre me Rusinë, sipas shumë bankierëve dhe avokatëve.
Gjatë javës së kaluar, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania dhe aleatët europianë kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, si një akt ndëshkues për pushtimin e Ukrainës. Edhe Australia, Japonia, Singapori, Tajvani dhe Koreja e Jugut janë duke vendosur kufizime ndaj Rusisë.
Sanksionet kanë shënjestruar disa pjesë të elitës së pasur ruse, disa banka të mëdha ruse, entitete shtetërore dhe dhjetëra degë të tyre, si dhe aksesin e disa bankave ruse në shërbimin ndërkombëtar të mesazheve SWIFT, ndër të tjera.
Megjithëse bankat globale kanë shumë përvojë me sanksionet në përgjithësi dhe kanë investuar miliarda dollarë në programet e përputhshmërisë rregullatore gjatë viteve të fundit, kufizimet ndaj Rusisë janë të paprecedenta për sa i përket shkallës së tyre, shpejtësisë me të cilën u ndërmorën dhe kompleksitetit. Për më tepër, ato mund të vazhdojnë të përshkallëzohen, sipas shumë drejtuesve.
Për të shmangur shkeljen e rregullave dhe bllokimin e aktiveve dhe të kapitalit si pasojë e kufizimeve të reja, bankat po tregojnë një kujdes ekstrem në të gjitha marrëdhëniet e tyre me entitetet ruse. Këto veprime ka të ngjarë të përkeqësojnë situatën e vështirë të tregtisë globale, thanë bankierët dhe avokatët.
Një bankier për financimet tregtare në Azi, me qendër në Hong Kong, tha se kolegët e tij që verifikojnë përputhshmërinë rregullatore po bëjnë më shumë pyetje, edhe nëse një marrëveshje financimi përfshin një entitet rus që nuk është sanksionuar as në mënyrë të drejtpërdrejtë, as tërthorazi.
Në Indi, për shembull, vend i cili nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka lidhje të forta tregtare me të, bankieri tha se firma e tij ishte bërë “shumë, shumë e kujdesshme” në lidhje me financimet që përfshijnë firmat ruse, nga frika se institucionet indiane do të kapeshin në të ashtuquajturat sanksione dytësore.
Një tjetër bankier në një bankë të madhe aziatike tha se firma e tij po shqyrtonte nëse kishte staf të mjaftueshëm dhe teknologjinë e duhur për të verifikuar përputhshmërinë rregullatore me sanksionet e shumta të vendosura ndaj Rusisë, si dhe për të identifikuar një marrëveshje financiare potencialisht të rrezikshme.
“Nuk ka të bëjë vetëm me menaxhimin e riskut që vjen nga sanksionet ekzistuese, por duhet analizuar edhe çfarë mund të ndodhë më tej në këtë drejtim,” tha bankieri. “Askush nuk do të donte të nënshkruante një marrëveshje financimi prej miliarda dollarësh dhe një javë më vonë të dilte se ajo njësi ekonomike në Rusi është shtuar në listën e sanksioneve”.
“Bankat në përgjithësi, sidomos bankat globale, shpesh priren të jenë shumë të kujdesshme dhe konservatore në lidhje me sanksionet, veçanërisht me sanksionet që vendosen nga SHBA”, tha Charlie Steele, partnere në agjencinë e konsulencës me qendër në Uashington, Forensic Risk Alliance dhe ish-zyrtare për sanksionet në Departamenti e Thesarit të SHBA-së.
“Në këto rrethana, bankat nuk do të duan të marrin përsipër risk të lartë, duke pasur parasysh prioritetin e madh me të cilin qeveritë – përfshirë atë të SHBA-së – po i konsiderojnë këto sanksione”.
Vetësanksionimi
Bankat tashmë kanë filluar të veprojnë.
Societe Generale SA dhe Credit Suisse Group AG kanë ndaluar financimin e tregtisë së mallrave nga Rusia, raportoi Bloomberg të dielën.
Banka Shtetërore e Indisë, huadhënësi kryesor i vendit, nuk do të procesojë asnjë transaksion që përfshin entitete ruse të cilat janë përfshirë në sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë, raportoi Reuters të hënën.
Edhe përpara se aleatët perëndimorë të vendosnin sanksionet e tyre të rënda gjatë fundjavës, blerësit kryesorë të naftës ruse e kishin të vështirë të siguronin letra kredie nga bankat perëndimore për shkak të pasigurisë që mbizotëronte në treg, raportoi Reuters javën e kaluar.
“Me kalimin e kohës, bankat e tjera mund të ‘vetësanksionojnë’ duke marrë në konsideratë risqet e shumta,” shkroi të martën Simon MacAdam, ekonomist global në Capital Economics.
Marrë nga Monitor.al