Individët zotëronin 18% të instrumenteve të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare në fund të vitit të kaluar.
Në vlerë, kjo përkthehet në një portofol total investimi prej 126 miliardë lekësh ose pak më shumë se 1 miliardë eurosh.
Pesha specifike e instrumenteve të blera direkt nga individët në tregun primar zbriti në 10.4%, nga 11.7% që kishte qenë një vit më parë. Por, ndërkohë pjesa e blerë dhe e mbajtur nëpërmjet bankave tregtare u rrit ndjeshëm në 7.6% të totalit, nga afërsisht 5.5% që kishte qenë një vit më parë. Këto zhvillime lidhen edhe me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të mos ofruar më shërbimin e pjesëmarrjes në ankandet e bonove të thesarit.
Gjatë vitit 2021, Banka e Shqipërisë nuk hapi më llogari të reja për pjesëmarrjen e individëve në ankandet e bonove, ndërsa që prej fillimit të këtij viti mbylli edhe llogaritë e klientëve të hapura para vitit 2021. Tashmë, ky shërbim do të jetë i mundur vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare si shoqëri komisioneve për veprimet me titujt.
Në pjesën më të madhe, këto shoqëri janë banka tregtare. Një faktor tjetër që ka orientuar pjesëmarrjen e individëve nëpërmjet bankave është projekti i obligacioneve referencë. Sipas këtij projekti, në ankandet për emetimin e obligacioneve me maturim 3-vjeçar, 5-vjeçar dhe 7-vjeçar marrin pjesë vetëm pesë banka që kanë statusin e zhvilluesve të tregut. Individët apo subjektet e tjera të interesuara mund të marrin pjesë në ankande vetëm nëpërmjet zhvilluesve të tregut.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, vetëm vitin e kaluar individët investuan 15.7 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Shuma e investimeve të reja pësoi një rënie të lehtë me 1.1% krahasuar me një vit më parë.
Investimet e individëve në ankandet e emetimit të titujve të qeverisë vitin e kaluar shkuan në pjesën më të madhe për bono thesari. Vitin e kaluar, blerjet e bonove nga individët në tregun primar arritën vlerën e 9.2 miliardë lekëve, me një rritje prej 2.3% krahasuar me një vit më parë. Instrumentet afatshkurtra përbënin rreth 58.5% të investimeve të individëve në titujt e borxhit qeveritar për vitin 2021.
Ndërkohë, investimet në obligacione pësuan rënie në vlerën e 6.5 miliardë lekëve, 5.4% më pak krahasuar me vitin 2020. Megjithëse investimet në obligacione kanë rënë në vlerë, si numër transaksionesh ato janë rritur me 25% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon për një shtim të numrit të individëve që investojnë në titujt afatgjatë të qeverisë shqiptare.
Financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare ngelen bankat tregtare. Në mënyrë direkte, ato mbanin rreth 56.5% të borxhit të brendshëm publik në fund të vitit 2020. Kjo për kthehet në rreth 400 miliardë lekë ose 3.3 miliardë euro tituj të mbajtura në bilanncet e bankave.
Marrë nga Monitor.al