Shtetasit ukrainas do të mund të futen e të qëndrojnë në Kosovë pa pasur nevojë për vizë. Kjo pasi Kosova do të pezullojë përkohësisht regjimin e vizës për shtetasit ukrainas, për shkak të situatës së luftës.
Vendimi u votua nga qeveria të martën. Propozimin e bëri ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila dy ditë më parë njoftoi se Kosova së shpejti do të pezullonte regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës, dhe do të krijonte kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve të Ukrainës.
Rreth 40 ushtarë ukrainas janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, ndërsa Kosova pritet të pranojë rreth 5000 refugjatë nga Ukraina. Shtetasve të Ukrainës për të hyrë në Kosovë u nevojitet viza, por ky regjim është pezulluar përkohësisht për shkak të luftimeve në Ukrainë që kanë vrarë mbi 1000 civilë, sipas OKB.