Uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në komunat ku mbi 20 për qind e popullsisë është shqiptare. Vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, thuhet në njoftimin e Qeverisë, të publikuar të martën.
“Uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare (gjuhën shqipe) të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që përdoret nga së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Vendimi do të fillojë të zbatohet brenda një viti nga hyrja në fuqi. Vendimi është bërë i ditur edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik, Artan Grubi, i cili në rrjein social Facebook njoftoi se “Qeveria ka vendosur që uniformat e policisë në të ardhmen të kenë mbishkrim edhe në gjuhën shqipe”.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në janar të vitit 2019.