Sektori i turizmit i cili prej disa vitesh po vuan nga mungesa e punonjësve duket se po kërkon zgjidhje në tregje të huaja.
Hotelet në Golem, që janë struktura me kapacitet të madh akomodues, kanë parë të arsyeshme marrjen e punëtorëve nga vende të tjera, diçka që ka nisur të zbatohet në praktikë në sektorë të ndryshëm.
Fatos Çerenishti administrator i FAFA Group, ndër grupet hoteliere më të mëdha në vend, tha për “Monitor” se problemi më i madh i këtij viti ka qenë pikërisht gjetja e punonjësve dhe në vend është bërë thuajse e pamundur. Ndaj ai ka kontaktuar me 2-3 agjenci të huaja të cilat pritet së shpejti të sjellin 40 punonjësit e parë.
“Jemi munduar të bëjmë rritje pagash pasi na duhet të mbajmë stafin e trajnuar që na mundëson shërbim me standard. Gjithsesi pavarësisht rritjes së pagave prapë ambienti është sfidues pasi hapen struktura të reja vazhdimisht dhe nevoja për staf është e vazhdueshme. Halli më i madh këtë vit ka qenë pjesa e punonjësve dhe duke qenë se nuk po gjejmë në vend jemi lidhur me 2-3 agjenci për t’i marrë nga shtete të tjerë. Ne shpresojmë që 40 punonjësit e parë të huaj nga vendet e Azisë të vijnë së shpejti sikurse kemi rënë dakord” tha Çerenishti.
Turizmi ka qenë në presion të vazhdueshëm dhe shumica e strukturave të mëdha pohojnë se u është dashur të rrisin pagat me 20 për qind për të mbajtur në punë stafin apo për të marrë punonjës të rinj për nevojat që kanë në pozicione specifike.
Nga ana tjetër lulëzimi i punësimit të të huajve ka nisur prej disa kohësh përmes agjencive të dedikuara. Një rast i ngjashëm i punësimit të të huajve në Shqipëri është ai i 30 grave nga Nepali në bujqësi.
Kompania “Doni Fruits”, që ka aktivitet në grumbullimin e fruta perimeve dhe ka në pronësi dhe sera, bëri të ditur pak kohë më parë se ishte në pritje të 30 grave nga Nepali për të punuar në njësinë e grumbullimit bashkë me 35 gra shqiptare.
Raste sporadike të punësimit të të huajve në sektorë të ndryshëm si fasoneri dhe ndërtim u lakuan sidomos gjatë vitit të shkuar. Një deklaratë e Kryeministrit në atë kohë që këshillonte bizneset të merrnin punonjës nga Bangladeshi u bë virale. Qeveria nga ana tjetër miratoi një ligj të dedikuar për të huajt i cili synonte lehtësimin e procedurave dhe leje qëndrimin në Shqipëri ku përfshihej edhe aspekti i punësimit.
Marrë nga Monitor.al