Çmimi i shitjes të vajit në treg do të mbetet i pandryshuar deri ditën e premte. Bordi i kontrollit të çmimeve për produktet e shportës vendosi që çmimi i tregtimit për vajin e lulediellit të vazhdojë të jetë 299 lekë për kompanitë e shumicës dhe 305 lekë për litër nga supermarketet.
Çmimi i vajit me shumicë këto ditë në tregjet europiane ka arritur 360 lekë deri 430 lekë për litër i zhdoganuar me TVSH-së. Çmimet e bordit po vendosin në vështirësi financiare operatorët që marrin furnizime të reja dhe shesin nën kosto. Importuesit theksojnë se në këtë situatë e kanë të pamundur të kryejnë furnizime pa financime shtesë.
“Ky vendim po ndikon negativisht për disa dhe pozitivisht për të tjerë, por për pak ditë do të ndikojë negativisht për të gjithë. Disa operatorë janë furnizuar para pak ditësh, të tjerë po furnizohen këto ditë. Kompani të tjera janë furnizuar me porosi të cilat nuk ishin lëvruar para 1 muaji për shkaqe të mungesës së transportit”, pohuan burime nga tregu i shitjes të vajit të ambalazhuar.
Pas nisjes të konfliktit Rusi-Ukrainë çmimi i vajit të lulediellit në dyqanet e produkteve ushqimore u rrit (32,5%) nga 249 lekë në muajin shkurt arriti në muajin mars 330 lekë për litër. Importuesit thonë se aktualisht përveçse po përballen me çmime të larta blerje, po furnizohen me sasi shumë të vogla.
“Të gjithë duhet të gjejnë financime shtesë, gjë që është shumë e vështirë, për shkak se po shesim më lirë se sa do e blejmë vajin”, nënvizoi një nga importuesit e vajit të lulediellit për “Monitor”.
Varësia e lartë nga importet ku luhatjet e çmimeve janë të shpeshta jo vetëm ka ndikuar për reflektimin e shpejtë në tregun vendas, por edhe për mungesën e produktit në sasi mbi 200 ton për secilin operator.
Sipas të dhënave të doganave importet e vajit të lulediellit në 2021 u rritën 8% më shumë se 2020. Importet për grupin “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” sipas INSTAT patën rënie të lehtë 3% për 2021 në raport me 2020. Importet e “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” nga Rusia u rritën me 10% në 2021-n në krahasim me një vit më parë, duke përbërë 17% të totalit.
Në të njëjtën linjë u rritën importet nga Hungaria (3,5%), Italia (4%), ndërsa importet nga Ukraina pësuan rënie 7%. Rusia, Ukraina, Hungaria, Serbia dhe Bullgaria janë furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me vaj ushqimor luledielli. Më pas e ndjekin edhe shtete të tjera të Europës, si Italia, Gjermania dhe Greqia, por në sasi më të vogël/MONITOR