Kryetari i fshatit Krushë e Madhe në komunën e Rahovecit, në Kosovë, Selami Hoti deklaron se debati që po zhvillohet prej disa ditësh në politikën shqiptare “kush e mori kasetën e Bellanicës” po përdoret politikisht.
Duke folur në Politiko.al, Hoti thotë se deklaratat e dëshmitarit të masakrës së Krushës së Madhe, kameramani amator që filmoi pamjet tronditëse të masakrës në luftën e Kosovës, Melaim Bellanica po përdoren për qëllime të politikave ditore dhe destruktive dhe për këtë, sipas tij, si asnjëherë më parë i bëjnë dëm kauzës për bashkim.
Si e komentoni debatin e zhvilluar në Shqipëri sa i takon akuzave se kreu i PD, Lulzim Basha ka fshehur kasetën me pamjet e masakrës gjatë kohës që punonte në UNMIK?
Konsideroj se video incizimi i z. Bellanica është një dëshmi e terrorit, gjenocidit serb në Kosovë, një masakër e parë e tillë që nga Aushvitci, por që nuk duhet të përdoret si ‘monedhë kusuritje’ të interesave politike ditore.
Jam i mendimit se ky debat do të duhej t’i jepej si dëshmi prokurorëve të dhomave të specializuara që po gjykojnë padrejtësisht çlirimtarët e atdheut.
Çfarë mendoni për dëshminë e Bellanicës, që në Tiranë vjen disa muaj para zgjedhjeve parlamentare?
Duke u nisur nga kjo se përse duhej të njihej tani dëshmia e z. Bellanica tani në këtë kohë na bën të mendojmë që këto i shkojnë për shtati politikave ditore të politikave destruktive që si asnjëherë më parë i bëjnë dëm kauzës tonë për bashkim.
Duke mos qenë dëshmitar i kësaj ngjarje , por jam dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe, nuk kam asnjë të drejtë që t’i komentoj deklaratat e zotit Bellanica dhe nuk e di se përse është dashur që të bëhet aktualizohet video incizimi i tij në këtë kohë.