308 mijë shqiptarë që e vlerësuan si pozitiv legalizimin e kanabisit u tha se ishin vendimtarë për ta bindur qeverinë se duhet të rishikojë edhe njëherë çështjen e kultivimit të bimës narkotike për shkaqe medicinale. Përmes një formulari të Këshillimit Kombëtar pyetja kleçkë ishte si vijon: Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa legalizuar për arsye të përdorimit vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore, ju si mendoni?
61 përqind e shtetasve të anketuar ju përgjigjën pozitivisht asaj kurse 29 përqind e 563.195 qytetarëve i thanë “jo”. Por ky anketim në dukje i qeverisë që vjen tetë vjet mbasi ish deputeti socialist Koço Kokëdhima e hodhi i pari këtë tezë duke hapur një debat të cilit qeveria gjatë 2014 dhe një vit mbasi kishte marrë pushtetin ju përgjigj me qëndrim të prerë ku deklarohej zerimin e mbjelljes së drogës.
Ish deputeti Kokëdhima shprehet se i qëndron tezës së tij, ndërsa thekson se tani ky lloj aktiviteti po rritet me shpejtësi në botë.
“Patjetër që i qëndroj tezës që kam hedhur që përpara 8 vitesh. Madje tani duke parë sesi po zhvillohet në botë ky lloj aktiviteti dhe ndihmës që jep në ekonomi, edhe ne duhet ta legalizojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, shprehet ish-deputeti Kokëdhima për “Sinjalizo”, i cili shton se legalizimi i kanabisit mjekësor do të ndihmojë edhe në uljen e kultivimit të kanabisit në mënyrë ilegale.
Por për kryeministrin veç shifrës së qytetarëve që pranojnë legalizimin, determinante duket se është impakti në ekonomi.
“Ne do të proçedojmë ashtu siç shprehen dhe qytetarët, do të legalizojmë absolutisht kanabisin për përdorim mjekësor dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritjeje ekonomike, përveçse edhe rritje në aspektin teknologjik. S’ka dilemë për këtë”, tha kryeministri. Por megjithë interesimin e vazhdueshëm të “Sinjalizo”, askush nuk e vendosi në dispozicion projektligjin në fjalë i cili në realitet menjëherë sapo të përgatitet duhet tu shpërndahet me urgjencë grupeve dhe aktorëve të interesit, përfshi palën më të interesuar Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe shoqërinë civile.
A ndikon liberalizimi i kanabisit në ekonomi?
Por nëse liberalizimi i kanabisit me argumentin e rritjes ekonomike është i duhuri i jep përgjigje eksperti i ekonomisë Zef Preçi, i cili e nënvizon që në nisje të bisedës se kjo nismë nuk i sjell asnjë të mirë vendit. Me konsideratën se e gjitha kjo është një shkelje syri ndaj atyre që merren me aktivitet kriminal, Preçi shton se “nëse do të hidhet ky hap, kuptohet që qarqet oligarkike, biznesmenët klientelist të qeverisë, mund ti kenë gati edhe laboratorët dhe facilitetet e nevojshme, por që në ekonominë kombëtare sjell përtubacione të rrezikshme. Nuk është kurrsesi mjet zhvillimi”, këmbëngul Preçi për “Sinjalizo”.
Por nga ana tjetër eksperti i ekonomisë parashikon se në kushtet e një krize ekonomike globale dhe ushqimore, qeveria duhet të nxisë punimin e tokës çdo metër katror. Sa i përket legalizimit për mbjelljen e kanabisit medicinal, Preçi është i prerë dhe deklaron se Shqipëria nuk përmbush asnjë nga kushtet.
“Mos të harrojmë tjetrën që kanabisi mjekësor në thelb merr kuptim kur në vendet që kanë sipërfaqe të mëdha toke, vendet që kanë shtet ligjor funksional, dhe vendet që kanë kontroll të rreptë policesk të aktiviteteve që janë në kufi të ligjit, vendet që kanë sistem farmaceutik të zhvilluar që edhe prodhon por edhe kontrollon, gjithë Kanadaja vetëm 50 farmaci ka që ofrojnë kanabis për qëllime mjekësore, dhe vendet që kanë numër të madh konsumatorësh. Shqipëria nuk plotëson asnjë nga kushtet, përveç kushteve natyrore të përshtatshme për çdo lloj bime, përfshirë edhe bimë kriminale, bimë mjekësore dhe në të njëjtën kohë, në zhvillimet në konjukturën botërore janë të tilla që edhe vendet që kanë tentuar janë tepër vonë sepse çfarëdo lloj liberalizimi në vendet që funksionon shteti, 30 shtete në SHBA, janë edhe 29 shtete të tjera në vendet e BE-se dhe vendeve të tjera të botës, por që kanë ulur shumë çmimin edhe e kanë bërë dekurajues prodhimin”, e mbyll drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike Zef Preçi.
Po mjekësia a është gati?
Lista e sëmundjeve që kurohen dhe trajtohen nga kanabisi mjekësor është e gjatë duke përfshirë jo vetëm tumorin por edhe epilepsinë, glaukomën, artritin, alergjinë apo sklerozën multiple.
Ana, nga Ura-Vajgurore, por që tani jeton në Tiranë, rrëfen për “Sinjalizo”, se për vajin e kanabisit ka dëgjuar përpara 10 viteve, kohë edhe kur i nevojitej ky produkt. 30 vjeçarja shprehet se i nevojitej për prindërit të cilët vuanin nga kanceri, ndërsa për shkak të mosbesimit nga ata që e shisnin ilegalisht këtë produkt, ajo e bëri vetë vajin e kanabisit.
“Për vajin e kanabisit unë kam dëgjuar përafërsisht 10 vite më parë nga të afërm të mi, që janë farmacist në profesion, por edhe nga leximet që kam bërë në internet për vetitë e tij kuruese, edhe pse kisha skepticizmin brenda meje. Unë së bashku me dijeninë dhe aprovimin e prindërve të mi menduam që ta përdorim për vetinë kuruese të tij. Në atë periudhë që morëm këtë vendim, të dy prindërit e mi vuanin nga sëmundja e kancerit dhe sigurisht, ndjesia e shpresës për të provuar gjithçka me mendimin se do të arrij të ndihmoj në shërimin e tyre, provova të prodhoja vajin e kanabisit në sasi shumë të vogël, për përdorim nga ana e prindërve të mi. U interesova duke pyetur sesi bëhet ky vaj dhe më thanë që nevojitet 1 kg bimë e tharë kanabis, si edhe alkool i pastër (alkoolin se mbaj mend përqindjen, por më duket se ishte 70%), dhe të përfitohej ky vaj duhej zjerë në nxehtësi jo të lartë, derisa të avullohej masa e alkoolit dhe në fund do të mbetej një lënde ngjitëse në ngjyrë të zezë. Gjithashtu lexova po përsëri në internet për përdorimin duke qënë se ishte një esencë shumë e koncentruar, dhe përdorimi ishte marrja e masës sa gjysma e një “kokërr orizi” për vetëm një herë në ditë, për të qetësuar dhimbjet që prindërit kishin nga sëmundja. Prindërit e mi e provuan, por im atë nuk e përballonte dot në fazën e avancuar të kancerit që ishte dhe jepte halucinacione, ndaj ia ndërpreva të dyve”, rrëfen Ana për “Sinjalizo”, ndërsa thekson se 1kg e kanabisit e bleu rreth 300 mijë lëkë.1 of 2
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave në Shqipëri nga sëmundja tumorale për vitin 2020 kanë humbur jetën 3589 persona.
Profesor Doktor, Zihni Sulaj, i cili ka pasur edhe detyrën e shefit të Shërbimit të Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, rreshton disa prej rreziqeve që do të sjellë ky legalizim ndërsa bën krahasimin me Amerikën.
“Amerika, prej vitesh po vuan një dramë të madhe të abuzimit me substanca që përshkruhen me recetë nga mjekët, që janë në grupin e jo të kanabisit, sepse produktet e kanabisit 2-3 janë, sepse nuk është i legalizuar në të gjitha shtetet, por kjo ka bërë që në vitin 2019-2020, në Amerikë të kishte 100 mijë të vdekur nga overdoza, nga opiatet e përshkruara me recetë, për dhimbje, për indikacione të ndryshme, por që kanë kaluar në tregun e zi, dhe që përdoren nga përdoruesit e drogërave, e thashë këtë për të marrë për analogji me produktet e kanabisit, do shiten në farmaci me recetë, kjo mund të ndodhë që edhe me kanabisin mund të bëhen të varur shumë individë, pasi dihet i gjejnë mënyrat për të blerë edhe pa indikacione kanabisin mjekësor, edhe do të krijojë një mori pacientesh të varur, jo domosdoshmërisht për kanabisin, por që do të abuzohet dhe do të varen.
Problemet që mund të shkaktojë legalizimi i kanabisit janë: varësia nga adoleshentët, humbja e funksioneve të njohjes dhe njohurive të përparimit në shkollë, aksidentet në rrugë për shkak të ngjarjes së mjeteve në efektin e kanabisit, disa sëmundje pulmonare sepse kanabisi pihet zakonisht bashkë me duhanin. Nëse përdoret nga gratë shtatzëna, ka probleme në fetus tek fëmija i ardhshëm dhe mbi të gjitha nxit agresivitetin, vjedhjen, dhunën dhe probleme të tjera sociale që ia shton kostot”, shprehet për “Sinjalizo”, Prof. Dr. Sulaj.
Sipas Dr. Sulajt, Shqipëria nuk e ka për momentin infrastrukturën e duhur për ta hedhur këtë hap.
“Shqipëria nuk e ka për momentin infrastrukturën e duhur, problemi është që në legjislacion duhet bërë shumë ndryshime, problemi është i mire-administrimit të produktit, ku do kultivohet, ku do transportohet, ku do shitet, ku do eksportohet, janë të gjitha, një sërë masash për tu paraparë dhe besoj që qeveria i ka menduar të gjitha”, e mbyll intervistën, Sulaj i cili thekson në fund se përpara se të merret ky hap duhet shikuar edhe problemet që kanë sjellë abuzimet me substancat psikotrope siç janë qetësuesit, gjumësjellësit e të tjera që pihen në një masë të konsiderueshme dhe kanë krijuar varësi në popullatë.
Çfarë ndodh me sigurinë?
Sipas profesorit të Kriminologjisë, Ervin Karamuço, Shqipëria listohet në raportet ndërkombëtare si një ndër vendet kryesore në kontinent për kultivimin e kanabis sativa. Gjithashtu ai shprehet se Shqipëria nuk është gati, pasi nuk ka burime të specializuara teknike.
“Shqipëria listohet në raportet ndërkombëtare si një nga vendet kryesore në kontinent për kultivimin dhe trafikimin ilegal të kanabis sativa. Kjo vjen jo vetëm nga shkaqe të lidhura nga tendencat e shtuara kriminale në këtë fushë, por edhe nga një kontroll i dobët mbi territorin nga ana e organeve ligjzbatuese për shkaqe të lidhura me kapacitete të pamjaftueshme dhe korrupsionin. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit e cilësoi Policinë e Shtetit me probleme të mëdha të ndikimit të krimit të organizuar. Për shkak të këtyre arsyeve, Shqipëria nuk ka burime të specializuara teknike dhe njerëzore, si dhe integritet institucional për të garantuar një legalizim me protokolle sigurie rigoroze për kanabis indica me destinacion mjekësor (CBD). Eksperiencat e deritanishme kanë treguar se dy nismat e mëparshme të legalizimit mjekësor janë kuptuar nga krimi i organizuar si një mundësi për të shtuar aktivitetin e tyre ilegal në këtë fushë, duke shënuar rekorde në kultivimin dhe trafikimin ndërkombëtar”, shprehet për “Sinjalizo”, Karamuço.
Më tej profesori shton se duhet shikuar edhe fakti që vendet e rajonit kanë dështuar në nisma të ngjashme, ndërsa është e vështirë të konkurrosh krahas prodhuesve të mëdhenj botëror.
“Vende të rajonit si Kroacia dhe Maqedonia e Veriut kanë dështuar në nisma të ngjashme, pasi përveçse kanë abuzuar nga mungesa e kontrollit strikt, nuk kanë përllogaritur rentabilitetin në një treg evropian ku ka një mbiprodhim dhe kompeticion të madh. Do të isha shumë kurioz të njihesha me një studim tregu dhe plan biznesi të të gjitha atyre kompanive që do të angazhohen në vendin tonë në të ardhmen për qëllime të kultivimit dhe përpunimit mjekësor të kanabisit. Kjo pasi dëshiroj të kuptoj qëllimet dhe argumentat e vërteta të përfshirjes së tyre në këtë lloj biznesi. Duhet përmendur fakti se krahas prodhuesve më të mëdhenj evropian të kryesuar nga Britania dhe atyre global të udhëhequra nga Kanadaja dhe Kina, një tjetër vend me potencial shumë të madh si Maroku ka miratuar në maj të vitit të kaluar legalizimin e kanabisit mjekësor. Ky zhvillim mendoj se do të jetë një tjerër sfidë në kontinent për cilindo shtet që synon të përfshihet rishtazi në këtë lloj aktiviteti fitimprurës”, e mbyll profesori i kriminologjisë.
Në fakt modeli i legalizimit të drogës u aplikua në vitin 2016 në Maqedoni.
Sipas të dhënave të siguruara nga “Sinjalizo”, nga viti 2018 deri në shtator të vitit 2021 janë regjistruar 61 kompani për përpunimin e vajit të kanabisit. Vitin e kaluar dy prej këyre kompanive iu është hequr licenca për shkelje të ligjit, ndërsa 20 kompani të tjera janë në pritje për licencim.
Çfarë thonë ekspertët e policisë?
Arben Hajdarmataj një nga zyrtarët e policisë që nuk është më pjesë e saj, radhit arsyet kundër nismës.
“Përsa i përket kapaciteteve të policisë nuk mendoj që kapacitetet janë si në aspektin logjistik dhe kapacitetin njerëzor, por a ka mundësi policia që ta luftojë fenomenin e mbjelljes dhe trafikimin e kanabisit, unë do thosha që nuk ka mundësi, e para sepse njerëzit që do pajisen me licenca do jenë njerëz të lidhur ngushtë me politikën, ndërsa pjesa tjetër do jenë njerëz të lidhur me botën e krimit, e dyta me keqardhje duhet ta themi se kemi punonjës policie që janë të lodhur me kultivim dhe trafik të lëndëve narkotike e se licensimi vetem u jep një mundësi më shumë për këtë aktivitet kriminal.
Unë mendoj që në si shtet në kuptimin e institucioneve nuk jemi të përgatitur për legalizimin e hashashit, por edhe si shoqëri nuk jemi të përgatitur. Arsyet janë nga më të ndryshmet, si institucionet e kontrollit siç janë policia është e pa fuqishme për ta kanalizuar kanabasin për mjekësi dhe në shumicën e rasteve është e korruptuar dhe grupet krimimale që merren me kultivimin dhe trafikimin e kësaj substancë do të përfitonin, po kështu dhe Ministria e Shëndetësisë apo kush do jetë që do japë licensat për këtë aktivitet do priret nga korrupsioni dhe më keq akoma do licensojë persona me rekorde krimimale dhe në fushën e pastrimit të parave”, shprehet ish-drejtuesi i policisë për “Sinjalizo”.
Sakaq Strategjia kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për vitet 2021-2025, thekson se prioritet do të jetë prioritet lufta kundër kanabasit si edhe do të bëhet një ligj për të përditësuar substancat e ndaluara psikoaktive.
Ndërsa avokatja Denisa Daka shprehet se legalizimi i kanabisit do të sjellë një set dëmesh për të rinjtë, sakaq akoma pa u legalizuar dhomat penale të gjykatave janë të mbushura me minorenë e të rinj që akuzohen si përdorues të lëndeve narkotike.
“Ndërkaq në “Dhomat Penale” të gjykatave të të gjitha rretheve gjyqësore, vijnë për t’u gjykuar ditë pas dite minorenë e të rinj, akuzuar si “përdorues të lëndëve narkotike”, apo “shitje e shpërndarje të lëndëve narkotike”, ndërsa qelitë janë tejmbushur tashmë.
Parë e gjykuar në këtë kontekst, legalizimi i kanabisit, do të jetë një rrezik potencial me gjasë, ndërsa nga përdorimi i drogave të tilla, një set dëmesh do të prodhohen për të rinjtë a minorenët paskësaj”, shkruan avokatja Daka.
Përdorues që nuk dihet sa janë
E ndërsa qeveria do të legalizojë kanabisin për përdorim mjekësor, faktet tregojnë që përdoruesit e këtyre bimëve janë rritur kohët e fundit. Por zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë mbi trendin e grupmoshave që përdorin marijuanë dhe as numrin e tyre. Megjithatë sipas një monitorimi një vjeçar të kryer nga Qendra “Fol” në kryeqytet, 63% e numrit total të të proceduarve penalisht nga Policia e Shtetit rezultojnë përdorues të lëndëve narkotike.
“Shtetasit rezultonin mbajtës së lëndës narkotike hashash, të një sasie të vogël për përdorim vetjak, ndërkohë që lokacionet në të cilat u konstatuan nga ana e forcave të rendit janë: Fusha e Aviacionit, rruga “Panorama e Liqenit”, rruga “ Njazi Meka” (zona Allias), Don Bosko, rruga “Grigor Heba” (pranë Stadiumit Dinamo) etj”, përmendet në raportin e Qendrës “Fol”.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al