Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) vlerëson se vendimmarrja e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për pagat dhe shpërblimet kryhet në kushtet e riskut për ekzistencën e konfliktit të interesit.
KLSH ka kryer një auditim përputhshmërie në AMF vitin e kaluar për periudhën e aktivitetit nga data 01.01.2019 deri më datë 30.09.2020.
Raporti i plotë i auditimit nuk është publikuar ende, por bazuar në rezultatet e cituara në Raportin Vjetor të këtij institucioni, KLSH ka dhënë opinion të kualifikuar, opinion që teknikisht nënkupton se gjatë auditimit janë konstatuar mospërputhje dhe efektet e mundshme janë materiale, por jo të përhapura. Një nga problematikat e evidentuara është pikërisht risku për ekzistencën e konfliktit të interesit në përcaktimin e pagave dhe shpërblimeve nga anëtarët e Bordit.
Ligji “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, në nenin 9, shprehet se përcaktimet e bëra në dispozitat e ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, nuk zbatohen për AMF. Në të njëjtin nen, thuhet se Bordi përcakton strukturën organizative të Autoritetit, numrin e punonjësve, pagën, shpërblimet dhe trajtimet financiare të anëtarëve joekzekutivë të Bordit, Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, nëndrejtorit ekzekutiv, si dhe të punonjësve.
Trajtimet financiare përfshijnë mbulimin e shpenzimeve të kryera në përmbushje të detyrës, pagesat për trajnimet profesionale, për sigurimin e jetës dhe të shëndetit dhe të tjera të ngjashme. Sipas ligjit, Bordi, në përcaktimin e masës së pagës, shpërblimeve dhe trajtimeve financiare apo jofinanciare të administratës, duhet të bazohet në një metodologji të qartë, që merr parasysh kushtet e tregut, përvojat e autoriteteve të tjera që kryejnë aktivitetin e rregullatorit financiar në Shqipëri dhe nevojat e vetë institucionit.
Në informacionin lidhur me kontrollin në AMF, KLSH vë në dukje edhe problematika e mangësi në procesin e planifikimit, ineficencë në menaxhimin e tepricave të të ardhurave të realizuara nga AMF, të cilat ju kthehen shoqërive të sigurimit ku pjesë e tyre janë edhe gjobat që vendosen për shkelje të ndryshme; në licencimin e shoqërive të brokerimit në tituj, për mospërmbushje të kritereve për licencim për anëtarët e këshillit të administrimit, të kritereve për ekzistencën e kapitalit minimal gjatë viteve të ushtrimit të aktivitetit sipas plan biznesit të paraqitur.
Në licencimin e shoqërisë administruese të fondeve të pensionit dhe fondeve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive janë konstatuar mospërmbushje të kritereve ligjore. Gjithashtu, sipas KLSH, gjatë inspektimit të subjekteve që ushtrojnë veprimtari në zbatim të kuadrit ligjor, duke mos marrë masa për sanksionim me gjobë ndaj shkeljeve të konstatuara. KLSH ka evidentuar edhe mangësi në administrimin e fondit të kompensimit, marrëdhëniet dhe kompetencat mbikëqyrëse mbi Byronë Shqiptare të Sigurimit.
Në bazë të gjetjeve të auditimit është kërkuar marrja e 13 masave organizative si dhe është rekomanduar shqyrtimi dhe vlerësimi i shkeljeve të evidentuara dhe identifikimin e përgjegjësive për fillimin e dhënies së masave disiplinore nga “Vërejtje” deri në “Largim nga puna” për të gjithë punonjësit e cilësuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit.
Marrë nga Monitor.al