Kthimi nga investimi i rezervës valutore rezultoi në vlera negative vitin e kaluar.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, kthimi i rezervës valutore ra në -0.64%, nga niveli pozitiv prej 0.69% i vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, kthimi i rezervës valutore në nivele negative pasqyron vijueshmërinë e një mjedisi me norma të ulëta interesi në monedhat dhe tregjet kryesore në të cilat investohet portofoli i rezervës valutore.
Normat e interesit për emetimet e thesarit në Euro vijojnë të qëndrojnë në terren negativ. Në mbyllje të vitit 2021, gjendja në llogari rrjedhëse përfaqëson rreth 42% të portofolit total të rezervës, në pasqyrim të përpjekjeve për minimizimin e kostove nga investimi. Për sa i takon investimeve në tituj në portofolin e Euros, ato rezultojnë me një normë negative interesi që varion nga -0.3 pikë bazë në -80 pikë bazë.
Kontributi në kthim i monedhës USD dhe i monedhave të tjera të rezervës ishte gjithashtu kryesisht negativ, si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të normave të interesit, veçanërisht në fund të vitit, në përgjigje të rimëkëmbjes së ekonomive kryesore, rritjes së pritjeve inflacioniste dhe pritjeve për shtrëngim monetar nga bankat qendrore. Rritja e normave të interesit ka dhënë kontributin kryesor në vlerën negative të kthimit absolut të rezervës, por njëkohësisht ka krijuar edhe hapësira për realizimin e investimeve të reja të likuiditetit me normë më të lartë interesi, ndonëse ende negative.
Rregullorja “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore”, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, bën edhe përcaktimin e qëllimeve për të cilat mbahet rezerva valutore. Në qëllimet e mbajtjes së rezervave, krahas zbatimit dhe mbështetjes së politikës monetare dhe politikës së kursit të këmbimit, citohet edhe ruajtja e stabilitetit financiar. Si objektiva parësore të procesit të administrimit të rezervës janë përcaktuar likuiditeti dhe siguria. Sigurimi i të ardhurave nga administrimi i rezervës përfaqëson objektivin e tretë, për sa kohë nuk cenohen
objektivat e likuiditetit dhe të sigurisë. Këshilli Mbikëqyrës miraton gjithashtu parimet dhe kriteret cilësore për zhvillimin e aktivitetit të administrimit të rezervës valutore. Në zbatim të këtyre kritereve, Komiteti i Investimit miraton treguesit sasiorë dhe ndjek përmes raportimeve periodike vënien në zbatim të politikës së investimit, përveccse miraton edhe emrat e lejuar (emetuesit) në të cilët investohet rezerva valutore.
Këto emra përfshijnë qeveritë e SHBA-së, Japonisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Eurozonës, të cilat përgjithësisht janë të renditura të paktën A- (për qeveritë e Eurozonës renditja minimale e pranuar është BBB-). Në emrat e lejuar për investim përfshihen dhe agjenci apo institucione të lidhura me qeveritë, institucione shumëpalëshe apo të tjera subjekte të renditura të paktën AA- (për banka/institucione të tjera financiare renditja minimale e pranuar është A-).
Në fund të dhjetorit 2021, stoku i rezervës valutore bruto është 4,97 miliardë euro, në rritje me 26% krahasuar me një vit më parë. Në fund të vitit 2021, përbërja e rezervës valutore bruto sipas monedhave dominohej nga Euro me 66.4%, e ndjekur nga Dollari Amerikan me 17%, të drejtat e tërheqjes në FMN (SDR) me 6.9%, Ari me 2.9%, Paundi Britanik me 2.1%, Jeni Japonez me 1.9%, Renminbi Kinez me 1.9% dhe Dollari Australian me 1%. Rezerva valutore e Shqipërisë përfshin edhe rreth 2.5 tonë ar, që në fund të vitit të kaluar kishte vlerën e142 milionë eurove.
Marrë nga Monitor.al