Ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, ku tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është në Bashkimin Evropian.
Donfried theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e rajonit dhe presin hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm aspiratat tuaja dhe dëshirojnë që sa më shpejt të jetë e mundur një konferencë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju keni përfunduar detyra të vështira duke përmbushur reformat e nevojshme dhe meritoni të ecni përpara. E kemi thënë edhe më herët, e them dhe tani: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. Integrimi juaj do të kontribuojë për një stabilitet më të madh në Ballkan dhe një prosperitet më të madh në Evropë,” tha Donfried.
Ndërkohë ministri i jashtëm Bujar Osmani u shpreh se vizita e ndihmës-sekretares amerikane të shtetit, konfirmon miqësinë e madhe dhe partneritetin që Republika e Maqedonisë së Veriut ka me SHBA-në
“Sot u dakorduam për forcimin e këtij partneriteti nëpërmjet dialogut të ardhshëm strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve që do të mbahet më 2 qershor në Uashington. Për ne kjo paraqet nder të veçantë që RMV-ja do bëhet vendi i parë i Ballkanit Perëndimorë i cili hap dialog strategjik përmes të cilit do të thellohet partneriteti ynë, më konkretisht do të futet në kornizë bashkëpunimi ynë bilateral. Dialogu strategjik është një nga forumet e shumta për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik, mbrojtjen e sundimit të ligjit, tregtinë, energjetikën, respektimin e së drejtës, ndryshimet klimatike si dhe në fushat tjera”, deklaroi Osmani.