Të dhënat 3 mujore të Komisionit të Prokurimit Publik tregojnë për të paktën 150 ankesa nga ana e bizneseve kundër institucioneve publike që kanë hapur procedura prokurimi.
Numrin më të lartë të ankesave e mban muaji shkurt me të paktën 62 të tilla të regjistruara dhe më pas vjen marsi me 56 dhe janari me 32.
Pjesën më të madhe të ankesave të biznesit duket se e zë faza kur procedura është në fazën e vlerësimit të ofertave ndërkohë që një pjesë jo e vogël kanë ankesa për dokumentet standarde duke parashtruar jo në pak raste ankesa për kushtet përjashtuese që vendosen.
Procedurat që lidhen me probleme kushtesh të konstatuara nga operatorët janë bërë të shpeshta në KPP ku në seri vetëm për një prej tyre, renditen një numër i madh biznesesh që kërkojnë ndryshim.
KPP vlerëson se në shumicën e rasteve ankesat që paraqiten pranë tij pranohen dhe sa i takon llojit të procedurës shumica rezulton se janë për rastet kur nga autoritetet kontraktore kërkohen mallra më pak shërbime dhe punë publike.
Raporti vjetor i KPP tregoi se në vitin 2021 pranë këtij institucioni u paraqitën u ankimuan procedura me një fond limit prej 112 milionë euro.
“Nga 768 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) ankesa, 298 prej tyre ose rreth 38.8 %, janë ankesa të paraqitura për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit dhe 470 ankesa ose rreth 61.2 % e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.
Nga numri total i ankesave të paraqitura gjatë vitit 2021, prej 768 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) ankesa në total, janë pranuar 327 (treqind e njëzet e shtatë) ankesa, nuk janë pranuar 343 (treqind e dyzet e tre), nuk janë marrë në shqyrtim 31 (tridhjetë e një) ankesa; është mbyllur çështja për 54 (pesëdhjetë e katër), si dhe ka përfunduar procedimi administrativ për 21 (njëzet e një) prej tyre” thuhej në këtë raport.
Marrë nga Monitor.al