Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka shpalosur sot raportimin vjetor para Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvend, i pari pasi mori mandatin e dytë në krye të këtij institucioni. Sejko tha para deputetëve se është e domosdoshme që politikat fiskale të mbështesin shtresat më të brishta dhe më të goditur nga vala inflacioniste.
Sipas tij sulmi ushtarak në Ukrainë ka sjellë një rritje galoponte të çmimeve të ushqimeve, dhe ky shtrenjtim pritet të vijoj edhe përgjatë muajve të ardhshëm, pasi inflacioni pritet të arrij deri në 8%.
Guvernatori nënvizioi se produktet e shtrenjta po rrisin kostot e jetesës së familjeve ndërkohë që është shtuar pasiguria për furnizimin me mallra. Sejko ka theksoi se duhet të merren masa për të mbështetur kategoritë më në nevojë, por kërkoi që qeveria të rishikojë shpenzimet jo prioritare dhe të rris mbështetjen e dhënë deri më tani.
“Lufta ka sjellë një rritje galopante të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe duke rritur kostot e prodhimit të bizneseve. Për më tepër, konflikti i armatosur ka shtuar pasiguritë dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit, të cilët po ndikohen edhe nga kufizimet e vendosura rishtas ndaj valëve të reja të pandemisë në Azi. Kjo goditje me ndikim të dyfishtë – në rritje për çmimet dhe në rënie për aktivitetin ekonomik – do të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare. Ajo pritet të sjellë norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike në Shqipëri krahasuar me vlerësimet tona përpara fillimit të luftës.
Megjithatë, trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit pritet të mbetet i pacenuar në afatin e mesëm dhe të gjatë. Bazuar në informacionin aktual, ne presim që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim. Ky gjykim mbështetet në gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, në ekuilibrat e konsoliduar ekonomikë dhe financiarë, si dhe në vijimin e një miksi stimulues politikash monetare e fiskale. Nga ana tjetër, ne parashikojmë që inflacioni të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023, në linjë me reduktimin e pritur të presioneve në tregjet botërore, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Këto projeksione mbështeten në tre konsiderata të rëndësishme.
Së pari, ato supozojnë mospërshkallëzimin e konfliktit dhe vijimin e rritjes në partnerët tanë tregtarë. Së dyti, ato faktorizojnë bazat solide në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare pas rimëkëmbjes së gjithanshme të vitit 2021. Në mënyrë të përmbledhur, më lejoni të theksoj se ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2021 me parametra të përmirësuar ekonomikë e financiarë. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit, punësimi u zgjerua dhe rritja e pagave u përshpejtua. Në tërësi, bilancet e sektorit privat u përmirësuan, stabiliteti monetar dhe financiar i vendit u konsolidua, dhe tregjet financiare funksionuan normalisht. Në veçanti, sektori bankar ruajti tregues të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe rentabiliteti.
Së treti, ato kërkojnë rishikimin e vazhdueshëm të miksit të politikave ekonomike. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, këto politika duhet të vijojnë të ofrojnë mbështetje për procesin e rimëkëmbjes, por pa paragjykuar për asnjë moment stabilitetin monetar e financiar të vendit. Ky stabilitet ka qenë dhe mbetet një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë. Përmbushja e këtij objektivi sot, ndryshe nga më parë, kërkon adresimin e rreziqeve për rritjen e inflacionit.
Nisur nga sa më sipër, politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë të udhëhiqet nga respektimi i objektivit parësor të saj: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në këtë frymë, ne vendosëm të rrisim normën bazë të interesit në muajin mars, duke e kthyer atë në nivelin e parapandemisë prej 1%. Nga ana tjetër, politika fiskale duhet të vijojë të ofrojë mbështetje financiare për shtresat me të ardhura të ulëta të shoqërisë dhe për sektorët më të ekspozuar ndaj goditjes. Megjithatë, kjo mbështetje duhet të financohet nga të ardhurat shtesë të siguruara nga rritja e çmimeve dhe nga rishikimi i shpenzimeve joprioritare. Në këtë mënyrë, efektiviteti i ndërhyrjes nuk do të dëmtojë treguesit e borxhit publik”, tha ndër të tjera Sejko.
Lajm në përditësim…