Turizmi ka vijuar rimëkëmbjen edhe gjatë marsit të këtij viti teksa shifrat e raportuara për strukturat akomoduese kanë shënuar ecuri pozitive në disa aspekte.
Kështu sipas Institutit të Statistikave kemi rritje të vizitorëve jo-rezident në Shqipëri ashtu sikurse ka një rritje edhe të net qëndrimeve dhe normës neto të shfrytëzimit të kapacitetit akomodues në vend.
“Në muajin Mars 2022, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, paraqiten si më poshtë:
Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 53,7%, në krahasim me Mars 2021. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
- numri i vizitorëve rezident është rritur me 62,0%;
- numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 44,7%;
Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 2,1 herë, në krahasim me Mars 2021. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
- numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 85,4%;
- numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 2,3 herë;
Vizitorë
Sipas INSTAT gjatë muajit Mars 2022, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 53,7%, krahasuar me Mars 2021.
“Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë prej 98,1%.
Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 2,0 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime afatshkurtra” ka shënuar rritjen më të lartë prej 2,5 herë.
Në muajin Mars 2022, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:
- sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (55,1%);
- sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (62,0%);
- sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (96,6%)”.
Net-qëndrime
Raporti vlerëson se gjatë muajit Mars 2022, numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 2,1 herë, në krahasim me muajin Mars 2021. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2,0 herë.
Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 2,4 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në
“Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime afatshkurtra” ka shënuar rritjen më të lartë prej 2,0 herë.
Në muajin Mars 2022, numri më i lartë i net-qëndrimeve është realizuar:
- sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (60,1%);
- sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (55,1%);
- sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (96,7%);
Norma neto e shfrytëzimit
“Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.
Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 8,7%, kundrejt 5,2% që ishte në muajin Mars 2021.
Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 7,7%, kundrejt 4,0% që ishte në muajin Mars 2021”, vlerëson INSTAT.
Marrë nga Monitor.al