Vetëm 39 kandidatë për hetues nga 60 që duhet të ketë Byroja Kombëtare e Hetimit, kanë arritur të kalojnë Fazën e Intervistës, por kjo nuk është faza e fundit, çka t’i bëjë ata zyrtarisht hetues.
“Kandidatët e kualifikuar, do të plotësojnë deklaratën e pasurisë dhe interesave private e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë. Deklarata e pasurisë, e plotësuar, do të dërgohen të skanuara, me e-mail, në adresën [email protected], jo më vonë se data, 02.12.2020”, thuhet në njoftimin e BKH-së.
Testi i fundit që do t’i nënshtrohen kandidatët e kualifikuar, është ai i Poligrafit, udhëzimet për të cilët do të jepen më 2 dhjetor.
“Faza e Intervistës u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Shqipëri”- thekson gjithashtu BKH-ja.
Kujtojmë se në garë për hetues kanë qenë mbi 600 kandidatë.