Dërgesat e parave nga diaspora, përbëjnë një burim të madh të të ardhurave në Kosovë.
Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, remitancat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove.
Emigrantët e Kosovës që jetojnë e veprojnë në shtetet e ndryshme të botes, vazhdojnë të dërgojnë para në shtetin e tyre.
Vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, vlera e remitancave ka qenë 238.5 milionë euro.
Kështu thuhet në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës.
“Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars 2022, vlera e remitancave ishte 238.5 milionë euro”.
Sipas të dhënave të BQK-së, remitancat më së shumti dërgohen nga Gjermania, Zvicra, Italia, Austria.
“Shtetet prej nga më së shumti dërgohen remitancat prijnë shtetet; Gjermania, Zvicra, Italia, Austria dhe vendet tjera”.
Qytetarët e Kosovës kryesisht jetojnë në numër më të madh në këto shtete.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm në vitin e kaluar, shuma ka qenë rekorde për Kosovën, ku remitancat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove.
Kosova ka varësinë më të madhe të remitancave, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, që i bie 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850,000.
Numri më i madh i tyre jeton në Gjermani dhe Zvicër dhe shuma më e madhe e remitancave në Kosovë, sipas BQK-së, dërgohet pikërisht nga këto dy vende.
Qeveria aktuale e Kosovës, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, ka paraparë në planin e saj krijimin e disa instrumenteve, nëpërmjet të të cilave kapitali i diasporës do të mund të kanalizohej në investime, që gjenerojnë vende pune.
Me planin e Qeverisë është paraparë që nga viti i parë i qeverisjes, të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ka nisur ose jo zbatimi i këtij plani.
Marrë nga Monitor.al