Për të çuar çështjen e ndarjes së detit, Greqia dhe Shqipëria do të presin ikjen e Presidentit ilir Meta. Deklaratën e ka bërë në një intervistë për mediat greke ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pak ditë pas vizitës së tij në Tiranë. Dendias ka folur për Radion ‘SKAI 100.3 FM’. Kryediplomati grek është shprehur se Meta ende nuk ka dhënë autorizim për këtë ccështje.
“Shqipëria ka bërë një zgjedhje të rëndësishme të paktën në kohën e kryeministrit Rama. Cila është ajo zgjedhje? Është Bashkimi Evropian, ligji evropian, acquis evropian dhe, rrjedhimisht, partneriteti me Greqinë. Kjo është politika e saj e vendosur. Duhen parë linjat e gjera të politikave dhe pozicionet e qëndrueshme në politikat e dikujt. Dhe Shqipëria është konsistente me të. Ajo ra dakord me ne që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës kryeministrit. Me sa duket, Shqipëria do të zgjedhë një President të ri brenda dy-tre muajve të ardhshëm. Pra, e gjithë kjo do të jetë e realizueshme që atëherë. Sinqerisht, kjo është ajo që ruaj nga qëndrimi shqiptar, si dhe nga linja e përgjithshme e politikës së Shqipërisë në lidhje me vendimet e Bashkimit Evropian si për çështjen e Qipros ashtu edhe për Turqinë”, ka thënë Dendias.
Ai tha se në Greqi nuk duhet të krijojnë stereotipe.
“Në vend të kësaj, ne duhet të shohim pamjen e plotë dhe të qartë dhe t’i japim kohë bashkëbiseduesit tonë për t’u përshtatur”, tha ai.
Jashtëzakonisht të suksesshme e ka konsideruar ministri i jashtëm Grek Dendias vizitën në Tiranë. Duke folur për mediat greke ai ka thënë se përgjigjen homologes shqiptare që i përmendi çështjen çame ia dha aty për aty.
“Përgjigjja është dhënë aty për aty. Marrëdhëniet greko -shqiptare nuk do të jenë peng i një çështjeje që nuk ekziston”, tha ai në intervistën për SKAI.
Çështja e ligjit të luftës me Greqinë shumë shpejt do të shkojë drejt zgjidhjes. Kështu premtoi në vizitën e tij në Tiranë, kryediplomati grek Nikos Dendias, i cili tha se do të nisin procedurat për abrogimin e ligjit, i cili daton që nga viti 1940. Sipas ministrit të Jashtëm grek, dy vendet duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, që pikat historike për abrogimin e tij, të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Sa i përket çështjeve së pensioneve dhe njohjes së tyre nga shtetit grek, ministri Dendias tha se është e rëndësishme që është rënë dakord që të vendoset një itinerar për zgjidhjen e kësaj çështje.
Gjatë një konference të përbashkët, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se gjatë diskutimit ndërmjet tyre, është edhe për çështjen e pronave çame. Xhaçka tha se ekziston vullneti i mirë për t’i dhënë zgjidhje.