Kredia në Euro po i kthehet rritjes me ritme të shpejta.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në katër muajt e fundit sektori bankar dha 365 milionë Euro kredi të reja, shifër kjo rekord për të paktën shtatë vitet e fundit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kredia e re në Euro është rritur me pothuajse 57%, rritje kjo ndjeshëm më e lartë se rritja mesatare prej 37% e kredisë së re në total, për të njëjtën periudhë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill pesha e portofolit të kredisë në Euro ndaj kredisë për ekonominë arriti në 46.5%, ndërsa një vit më parë përbënte rreth 45.5%. Kredia në Euro i është kthyer rritjes qysh gjatë vitit 2021, i nxitur nga disa faktorë.
Së pari, depozitat në Euro në sektorin bankar pas pandemisë kanë shënuar një rritje me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill sektori bankar administronte depozita totale në vlerën rekord të 5.57 miliardë Eurove, në rritje vjetore me 19%.
Kjo rritje është mbi dy herë më e lartë se rritja mesatare e depozitave në ekonomi. Fakti që depozitat në Euro po zgjerohen me ritme më të shpejta se ato në Lekë ndikon në mënyrë të ndjeshme edhe politikat e investimit dhe kreditimit të sektorit bankar.
Nga njëra anë, bankat kanë kufizime për sa i takon pozicioneve të hapura në valutë, që nënkupton shkallën e mospërputhjes mes pasiveve dhe aktiveve në një monedhë të caktuar. Kjo do të thotë se depozitat që pranohen në Euro kryesisht mbahen dhe investohen po në Euro.
Bankat që kanë teprica të mëdha likuiditeti në Euro i mbajnë ose i investojnë në llogari apo instrumente financiare jashtë vendit, si edhe tentojnë të investojnë sa më shumë prej tyre në emetimet e Eurobondeve të qeverisë shqiptare.
Rritja e yield-eve në tregjet ndërkombëtare në tremujorët e fundit ka dhënë një ndikim negativ në vlerën e portofoleve të instrumenteve financiare të mbajtura për shitje, sidomos gjatë tremujorit të parë të vitit.
Pasiguria e lartë e lidhur me lëvizjen e normave të interesit mund të nxisë bankat të tentojnë të investojnë më shumë prej fondeve të lira në Euro për të dhënë kredi brenda vendit. Një shembull është ai i Bankës Kombëtare Tregtare, që në tremujorin e parë të këtij viti nisi një fushatë të kredisë për shtëpi në Euro, me norma interesi mjaft agresive.
Një faktor tjetër që po nxit kreditimin Euro këtë vit është rritja e çmimeve të importit. Një pjesë e mirë e bizneseve importuese marrin kredi direkt në monedhën Europiane për të mbuluar nevojat për blerje mallrash jashtë vendit. Shembull tipik ishte huamarrja në vlera të mëdha e kompanive të grupit OSHE, sidomos në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Në kuadrin e strategjisë së deeuroizimit, në vitin 2018 Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë në normën e rezervës së detyrueshme 12.5% (nga 10% që ishte më parë) për detyrimet në valutë kur këto zënë nën 50% të totalit dhe 20% (nga 10% që ishte më parë) për pjesën e detyrimeve në valutë mbi 50% të totalit. Një masë e tillë, në mënyrë të tërthortë, rrit kostot e fondeve në valutë dhe e bën më të shtrenjtë huadhënien në valutë të huaj.
Duke qenë se kredia në Euro për huamarrës me të ardhura në Lekë është e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, prej vitit 2011 Banka e Shqipërisë aplikon edhe koeficientë në përllogaritjen e vlerës së aseteve të ponderuara me rrezik, mbi të cilat llogaritet raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit. Gjithashtu, prej vitit 2011, huatë në valutë, të dhëna për huamarrësit e pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit nuk duhet të kapërcejnë nivelin 400% të vlerës së kapitalit rregullator të bankës. Çdo vlerë mbi këtë nivel, zbritet nga vlera e kapitalit rregullator.
Pavarësisht masave të mësipërme rregullatore, kreditimi në Euro i është kthyer rritjes.
Ky fakt reflekton së pari shkallën e lartë të Euroizimit të ekonomisë dhe sektorit financiar, si edhe vështirësinë që ky Euroizim të luftohet vetëm me masa të adresuara te bankat tregtare.
Prej gati dy vitesh, Banka e Shqipërisë po kërkon që qeveria të konsiderojë masa për uljen e niveleve të përdorimit të valutës në sektorin real të ekonomisë. Por, deri tani, Ministria e Financave dhe Qeveria shqiptare nuk kanë reaguar ndaj këtyre rekomandimeve./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al