Shpenzimet e skemës publike të pensioneve janë nën presionin e rritjes së numrit të pensionistëve, por problematikat e tranzicionit dhe informaliteti i lartë në tregun e punës po bën që pensionet e reja të dalin në vlera më të ulëta, vit pas viti.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, pagesa mesatare për pensionet e reja që u lidhën në vitin 2021 ishte 14,652 lekë, nw rënie me 2.5% krahasuar me vitin 2020.
Ekspertët e ISSH-së shpjeguan se vlera më e ulët e pensioneve të reja po vjen nga dy arsye kryesore.
Së pari, vit pas viti po rritet numri i emigrantëve që mbushin moshën e pensionit dhe plotësojnë kriteret për pagesa. Kjo kategori ka pak vite pune dhe në shumë raste plotëson vetëm minimalen e kërkesave për pension.
Gjithashtu. një masë e madhe e pensionistëve që hyjnë rishtas në skemë kanë punuar në të zezë dhe nuk plotësojnë kushtet për pension të plotë. Këtë ecuri e tregon edhe mosha mesatare e viteve të punës për pensionistë që dalin rishtas.
Vitin e kaluar masa mosha mesatare e daljes në pension ishte 28 vite nga 29.4 vite që ishte në vitin 2020 dhe 32.2 vite që ishte në vitin 2015.
Ekspertët nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pohojnë se pensionet e reja kanë nisur të reflektojnë problematikën e tranzicionit, sidomos punës në të zezë. Personat, që kanë paguar sigurime në mënyrë të rregullt dhe plotësojnë kriteret, do të kenë të ardhura më të larta, se me ligjin e vjetër që zbatohej para vitit 2014. Por, personat që nuk kanë paguar kontribute, duket se do të vuajnë pasojat gjatë pensionimit, pasi pagesat me reformën e re të pensioneve, që nisi të zbatohet pas vitit 2014, bëhen në bazë të kontributeve.
Të ardhurat e pensionistëve u kufizuan nga reforma e vitit 2014 nëpërmjet dy ndërhyrjeve kryesore.
E para, ndryshoi formula e llogaritjes, duke e modernizuar skemën sipas parimit se ai që kontribuon më shumë, fiton më shumë.
E dyta, ligji i ri i vitit 2014 e ndalon rritjen e pensioneve, duke marrë në konsideratë vetëm indeksimin e tyre të përvitshëm, me nivelin e inflacionit. Reforma për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015 pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032.
Zhvillimet demografike sinjalizojnë rritje të numrit të pensionistëve, duke i bërë ata gjeneratën e së ardhmes, por edhe pjesën më të varfër të popullsisë. Pensioni mesatar në vend është shumë më pak se gjysma e pagës mesatare, raport i cili shenjestron varfërinë e moshës së tretë.
Vështirësitë do të rriten në të ardhmen, ndërsa Banka Botërore sugjeron nxitjen e kursimeve vullnetare në skema private dhe luftën ndaj informalitetit. / B.Hoxha
Marrë nga Monitor.al