BULLGARIA– Vetëm 6 muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e koalicionit bullgar e kryesuar nga Kirill Petkov është rrëzuar! Mocioni i mosbesimit i bërë sot në parlament nga opozita është votuar me 123 vota pro dhe 116 kundër. Sipas tyre, qeveria ka “dështuar në politikën financiare dhe ekonomike”, duke u bërë qeveria e parë në historinë demokratike të Bullgarisë që rrëzohet me një mocion mosbesimi. Kështu, gjasat janë 6.5 milionë banorë të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Rrëzimi i qeverisë së Kiril Petkov vetëm 24 orë para fillimit të punimeve të Samitit të Bashkimit Europian në Bruksel ka tronditur jo pak politikën evropiane dhe aspiratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të marrë “PO-në” e shumëpritur për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Mediat bullgare e kanë konsideruar si një lajm jo shumë të mirë për 2 vendet, për shkak se procesi i votimit për hapjen e konferencës së parë të negociatave, po bëhet në një periudhë krize për vendin. Vetë, kryeministri Rama ka bërë të ditur se nëse nuk do të ketë një vendim pozitiv edhe këtë herë, ai do të kërkojë që rrugëtimi i Shqipërisë të ndahet nga ai i fqinjit të saj ballkanik.
Qeveria e Petkovit erdhi në pushtet me zotimin për të luftuar me vendosmëri korrupsionin, për të hequr nga detyra prokurorin e Përgjithshëm, Ivan Geshev dhe kreun e Komisionit Anti-korrupsion, Sotir Tsatsarov. Po ashtu u zotua se do të forcojë fuqitë e komisionit. Dorëheqja e Tsatsarovit erdhi e para. Ky rezultat ishte i pritshëm pas çështjeve me Maqedoninë e Veriut dhe rishikimit buxhetor.
Qeveria e 99-të e Bullgarisë me kryeministër Kiril Petkov u zgjodh më 13 dhjetor 2021. Para formimit të saj, vendi shkoi në zgjedhje tri here, një rekord në historinë e Bullgarisë.