Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, tha se do të padisë të gjithë ata që sipas tij kanë shpifur duke thënë se uji në Kukës ishte i helmuar. Duke prezantuar para mediave analizat e ujit të qytetit nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilat sipas tij kanë vërtetuar se uji nuk ishte i kontaminuar.“Për panik në popull kanë shkelur ligjin, natyrisht që Bashkia dhe Drejtoria e Ujësjellësit do t’i padisë. Nuk mund të bësh politikë me këtë çështje. Është rast i izoluar që nuk ka lidhje me depon e ujit, por uji vaditës ishte përzier me ujin e pijshëm për shkak të një rasti të izoluar. Por edhe analizat e atij uji kanë dalë në rregull. Helmim është fjalë e madhe. Mjeku ka thënë që kjo lloj virozë, këto shenja mund të vijnë nga gjëra të ndryshme. Gjithmonë këta, krahu i PD kanë përdorur raste të tilla të pavërteta, shpifje, për të bërë politikë. Kishim disa qytetarë në spital. Madje më tha dikush në spital “kam pirë ujë të blerë”… Tani do të themi që uji i blerë është i helmuar?”, tha Gjici për mediat.