Vazhdojnë konsultimet për propozimin francez për fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Sot pritet5 një takim i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Kryeministri Kovaçevski dje në një prononcim për media ka konfirmuar se ka pasur një bisedë telefonike me Selën dhe ka paralajmëruar se me gjasë sot do t’ia paraqesë propozimin francez.
Konsultimet e gjera për propozimin francez kanë filluar të premten, fillimisht me partnerët e koalicionit në Qeveri, disa prej të cilëve tashmë janë shprehur pozitivisht për propozimin, e disa pritet ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme.
Kryeministri Kovaçevski dje pati një takim edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare Hristijan Mickoski. Për VMRO-DPMNE-në propozimi francez është i papranueshëm. Mickoski pas takimit tha se Kovaçevskit i ka ofruar dy opsione – të refuzojë propozimin, dhe VMRO-DPMNE të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ose nëse Kovaçevski beson se propozimi siguron identitetin, atëherë të fshijë katër anëtarë.
Ndërkohë që Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, tha se propozimi i ri francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë është i pranueshëm pasi sipas tij, bëhet fjalë për një “kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilin marrin pjesë institucionet kryesore të shtetit, presidenti Pendarovski tha sa qeveria duhet të të miratojë edhe një konkluzion apo aneks në propozimin e modifikuar se do të refuzojë bisedimet në rast se gjatë këtij procesi pala bullgare insiston që të negociohet edhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas.