Sot shënohen 27 vjet nga masakra e Srebrenicës. Mijëra njerëz pritet që të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore që do të mbahen sot. Ndërkohë, eshtrat e 50 viktimave të masakrës së Srebrenicës, të gjetura kohët e fundit, do të varrosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë dhe kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë. Vrasjet kanë ndodhur brenda pak ditësh, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë edhe sot.
Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç.
Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”. Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg. Ligji ka shkaktuar zemërim te serbët e Bosnjës, që udhëhiqen nga Millorad Dodik, njëherësh anëtar i Presidencës trepalëshe të këtij vendi.
Dodik ka nisur procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri. Në prag të shënimit të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, kanë dhënë një deklaratë të përbashkët, duke thënë se në Srebrenicë, “Evropa ka dështuar”.
“Është më shumë se kurrë detyra jonë që të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës… të ngrihemi për të mbrojtur paqen, dinjitetin njerëzor dhe vlerat universale”, kanë thënë ata.
“Ende sot, ne nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”, kanë thënë Borrell dhe Varhelyi, duke përmendur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë, sjellin kujtime të gjalla të atyre që kanë ndodhur në luftërat e Ballkanit Perëndimor në vitet 1990”, kanë thënë dy diplomatët e lartë evropianë.
Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura.
Kujtojmë që pak ditë më par Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për genocidin Serb në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinë, e cila iu referohet 3 rezolutave të miratuara nga Parlamenti Europian në vitet 2005, 2009 dhe 2015. Rezoluta është miratuar me 113 vota pro, (nga 113 të pranishëm në total). Pro rezolutës kanë votuar edhe deputetë të opozitës. Rezoluta dënon pandëshkueshmërinë ndaj krimeve të luftës, që shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre.