Importet e zarzavateve kanë shënuar një rritje jo të zakontë ne 6-mujorin e parë të vitit 2021 duke sinjalizuar se, konsumi i prodhimeve vendase është duke u zëvendësuar me shpejtësi nga prodhimet e huaja.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, në janar-qershor 2022 u importuan rreth 27 mijë tonë zarzavate, nga rreth 19 mijë tonë vitin e kaluar në të periudhe, ose rreth 8 mijë tonë më shumë.
Kanalet e importit të produkteve bujqësore janë rigjallëruar. Tani në të gjithë tregjet e pakicës, në kulmin e prodhimeve vendase gjen domate të paketuara nga Greqia e Italia.
Më parë funksiononin disa kufizime për të mbrojtur prodhimin vendas, por këtë vit mallrat e importit, të tilla si domate, patate e disa lloj perimesh të tjera kanë hyrë në tregun tonë si asnjëherë këto vitet e fundit.
Edhe pse eksportet e zarzavateve vendase po rriten, përqindja e tyre është më e ulët se, rritja e importeve që po vjen në këto produkte. Në 6 mujorin e parë eksportet e zarzavateve në sasi u rriten me rreth 10%, ndërsa importet me 44%.
Operatorët tregtarë pohuan se prodhimet bujqësore vendase, sidomos ato të serave ishin më të kufizuara në sasi këtë vit, teksa rritja e eksporteve u ndikuar nga shtimi i numrit të kontratave me jashtë për eksportin e tyre.
Si rrjedhojë e rënies së prodhimit dhe rritjes së eksporteve, një pjesë e nevojave për konsum të brendshëm po plotësohen me import.
Eksporti i ushqimeve dhe pijeve në vlerë u rrit me 18.5% për 6 – mujorin, nga 20% në 5-mujor. Kjo ishte rritja më e ulët në krahasim me grupet e tjera të eksporteve. Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera.
Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.
Teksa ekonomia e vendit në vitin 2021 u rrit me rimet të larta të dy dekadave të fundit me mbi 8,5%, bujqësia sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjetër me vetëm 0.28%. E njëjta situatë vijoi edhe në tremujorin e parë 2022 me vetëm 0.1 %.
Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para la pa mbjellë qindra hektarë tokë. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar./B.Hoxha
Marrë nga Monitor.al