Çdo përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht rreth 6500 Lekë për shërbime të komunikimeve celulare.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime u rrit me rreth 3% krahasuar me vitin 2020.
Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celulare (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë.
Vlerësohet se rritja reflekton kryesisht rritjen e përdorimit të shërbimeve të komunikimit celular gjatë vitit të kaluar. Sipas AKEP, trafiku mesatar i thirrjeve celulare dalëse u rrit me 5.8% krahasuar me vitin 2020, ndërsa përdorimi mesatar i internetit u rrit me pothuajse 64%.
Paralelisht, kosto mesatare e thirrjeve celulare vitin e kaluar zbriti në 3.05 Lekë për minutë, 3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.
AKEP vlerëson se vitin e kaluar, tregu i shërbimeve celulare vitin e kaluar kishte një volum total prej 24.5 miliardë lekësh ose rreth 205 milionë Eurosh. Tregu shënoi një rritje modeste me 3% krahasuar me vitin 2020. Rritja erdhi nga segmenti më i madh, ai i të ardhurave me pakicë (nga përdoruesit fundorë), ndërsa të ardhurat nga shërbimet me shumicë (pagesat mes operatorëve për terminimin e thirrjeve) pësuan sërish një rënie të lehtë.
Megjithë rritjen e lehtë të xhiros, performanca financiare e tregut vlerësohet në përkeqësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2020. Vodafone dhe ALBtelecom raportuan së bashku humbje prej gati 1.6 miliardë lekësh, ndërsa ONE arriti një fitim prej 191 milionë Lekësh, 76% më pak krahasuar me vitin 2020.
Sipas AKEP, në total investimet e kryera nga tre operatorët pësuan një rënie të ndjeshme me 32% dhe kishin një vlerë totale prej 4.6 miliardë Lekësh.
Performanca e operatorëve gjatë viteve të fundit duket e pamjaftueshme për të mbështetur investimet e reja, sidomos në funksion të adoptimit të afërt të teknologjisë 5G. Ndërkohë, tregu së shpejti do të pësojë edhe një ndryshim në strukturë, me uljen e numrit të operatorëve nga tre në dy, pas blerjes së ALBtelecom dhe ONE nga hungarezët e 4iG. Këto zhvillime mund të paralajmërojnë një rritje të çmimeve dhe të shpenzimeve të shqiptarëve për shërbimet celulare gjatë viteve në vazhdim.
Marrë nga Monitor.al