Deputeti i Parlamentit Evropian, eurodeputeti bullgar, Angel Chavdarov Dzhambazki ka paralajmëruar Serbinë se do të digjet nëse luan me zjarrin.
Përmes një postimi në Tëitter, deputeti shkruan: “Serbia po luan me zjarrin. Nëse Vuçiç nuk kontrollohet, ata do të digjen. Ne qëndrojmë me Kosovën.” Reagimi i tij vjen 1 ditë pas tensioneve në veri të Kosovës, të shkaktuara nga marrëveshja për reciprocitetin e targave.
Kujtojmë se dy ditë më parë ka pasur tensione në veri të Kosovës, kjo për shkak të reciprocitetit. Kryeministri Albin Kurti vendosi sot që të shtyjë një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Pavarësisht shtyrjes së vendimit, policia e Kosovës tha se situata në mëngjesin e sotëm ishte e qetë, por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, u liruan vetëm në orët e vona të 1 gushtit.
Kurti tha se ka pasur të shtëna dhe barrikada me njerëz të armatosur por nuk pati të lënduar. Vendimi për shtyrjen e zbatimit për reciprocitetin, u mor pak pas mesnate, pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe.