Pas denoncimit të skandalit nga Shqiptarja.com të festës së organizuar për ditëlindjen e aktorit Bes Kallaku kundër masave anti-covid, policia gjobit pronarin e lokalit, pezullon nga detyra 6 efektivë policie dhe pritet të ndëshkojë 30 të ftuarit në ceremoni, mes tyre edhe Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Ceremonia e ditëlindjes së aktorit Bes Kallaku u zhvillua në shkelje të plotë të rregullave anti-covid për ndalimin e organizimeve festive.
Shkelja e rregullave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do të sjellë ndëshkimin njësoj të të gjithëve, pavarësisht postit që ke, kjo ndodh në demokraci. Dhe duket se festa e organizuar për ditëlindjen e aktorit Bes Kallaku nuk do të bëjë përjashtim, dhe bashkë me të edhe disa zyrtarë të lartë të shtetit, mes të cilëve presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi të pranishëm në festë, të cilët pritet të gjobiten nga policia për grumbullim dhe ‘marrjes së valles’ në një kohë kur grumbullimet janë të ndaluara me akt normativ të qeverisë. Reagimi i policisë erdhi pas denoncimit të skandalit nga Shqiptarja.com të festës së organizuar për ditëlindjen e aktorit Bes Kallaku, ku në video dallohet lehtësisht se të 30 të ftuarit ia kishin marrë valles duke shkelur me të dyja këmbët masat anti-covid.
Për këtë policia ka gjobitur me 1 mln lekë të reja pronarin e lokalit, shtetasin F.U. dhe ka pezullon nga detyra 6 efektivë policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ka nisur ndaj tyre ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë.
Gjithashtu policia ka bërë identifikimin e të 30 personave që kanë qenë prezentë në këtë ceremoni të zhvilluar jashtë çdo rregulli anti-covid dhe pritet që të marrë masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Policia është duke ekzaminuar videot ku shihen duke kërcyer dhe nëse rezultojnë në shkelje, të ftuarit pritet të gjobiten me nga 10 mije lekë (të reja) për grumbullim pa respektuar distancimin social, mes të cilëve ishte edhe Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Pamjet nga aktiviteti i zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, janë ende në ekzaminim nga policia, ku problem është grumbullimi në valle ku nuk respektohet distanca, ndërsa në lidhje me orarin e zhvillimit të ceremonisë, burime nga policia thonë për Report Tv se është zhvilluar në orën 15:00-19:00, pra brenda orarit të lejuar, pasi ndalimi i lëvizjeve dhe mbyllja e aktiviteteve ndodh pas orës 22:00.
Gjobitja nuk është ndonjë e re për Monika Kryemadhin pasi ajo ka marrë dy të tilla, njërën live në media, gjatë kohës që zhvillonte takime me qytetarët. Kryemadhi refuzon në mënyrë kategorike të mbajë maskën dhe madje është shprehur disa here së virusi nuk ekziston duke çorientuar popullin. Ndërsa nga ana tjetër presidenti Ilir Meta edhe pse mban maskën në aktivitetet e tij dhe bën thirrje për më shumë angazhim nga qeveria për përballimin e COVID-19, duket se në mbrëmje harron totalisht se virusi është prezent gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm për deklarata politike./Shqiptarja.com