Rritja e agregatit monetar M2 ka arritur nivelet më të ulëta të periudhës së pas pandemisë.
Agregati monetar M2 jep vlerën e depozitave bankare në Lekë dhe të parasë jashtë bankave, duke përafruar rrjedhimisht vlerën e ofertës monetare në monedhën vendase.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit qershor, rritja e agregatit M2 me bazë vjetore ishte në nivelin 3.5%, ndërsa për majin rritja kishte qenë edhe më e pakët, me 3.4%. Një rritje kaq e ulët e ofertës monetare në Lekë nuk ishte shënuar që prej janarit të vitit 2020, periudhë pak para shpërthimit të pandemisë.
Pandemia ishte një moment kthese për politikën monetare, sepse në këtë periudhë ajo mori tiparet më stimuluese që ka regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. Banka e Shqipërisë uli normën bazë në nivelin minimal historik prej 0.5%, si edhe ndryshoi formulën e ankandit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes, për t’iu mundësuar bankave akses të pakufizuar me likuiditet.
Këto masa synonin të qetësonin ekonominë, pas tronditjes fillestare që shkaktoi pandemia dhe mbyllja dhe të mbështesnin masat lehtësuese për huamarrësit, duke kompensuar bankat me likuiditetin e munguar përkohësisht nga shtyrjet dhe ristrukturimet e kredive.
Kjo politikë monetare rezultoi me shpejtim të ndjeshëm të rritjes së injektimit të parasë në ekonomi. Rritja e agregatit M2 arriti kulmin në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, me norma rritjeje vjetore afër nivelit të 14%. Pas kësaj periudhe, rritja e këtij agregati u ngadalësua gradualisht dhe në fund të vitit 2021 zbriti në nivelin 6.5%.
Gjatë këtij viti, tendenca është qartësisht në rënie të mëtejshme dhe sidomos pas muajit mars, kur Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit për herë të parë një dekade, duke nisur procesin e normalizimit monetar. Ky proces ka nisur të reflektohet në një rritje më të vogël të injektimit të parasë në ekonomi, në përpjekje për të zbutur presionet e forta inflacioniste.
Trajektore të ngjashme po ndjek edhe tendenca e parasë jashtë bankave. Në fund të muajit qershor, rritja vjetore e parasë jashtë bankave ishte 4.5%, më e ulëta në periudhën e post pandemisë.
Edhe përbërësi tjetër i agregatit monetar M2, llogaritë dhe depozitat bankare pa afat janë ngadalësuar ndjeshëm, me një rritje prej 7.8% në fund të qershorit, nga 14.5% në fund të vitit të kaluar. Ndërkohë, depozitat bankare me afat në Lekë vazhdojnë të ndjekin një tendencë rënëse. Në fund të qershorit, ato shënuan nivelin -4.2%, nga -3.5% në fund të vitit të kaluar./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al