Numri i shqiptarëve që kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, (nuk përfshihet Britania e Madhe) arriti në 4810 persona në 5 mujorin e parë 2022, raportoi Eurostat sot.
Shqiptaret që emigruan në Europë nëpërmjet formës së azilit u rriten më shumë se dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Por numri i të larguarve nga vendi është më i lartë pasi në këtë statistikë nuk përfshihen personat që emigrojnë me kontrata pune dhe ato që kërkojnë azil në Britaninë e Madhe. Mediat Britanike raportuan me herët gjatë javës së në një ditë të vetme u futen në rrugë detare me gomone 700 azilantë shqiptare.
Eurostat raportoi se, vetëm në muajin maj kërkuan azil në BE, 960 shtetas shqiptare. Në maj 2022, rreth 63 mijë azilkërkues aplikuan për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në BE, 17 % më shumë krahasuar me prillin 2021.
Numri i aplikantëve për azil për herë të parë nga Ukraina u ul nga 1510 në prill në 1295 në maj (-14 %). ” Në maj 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkuan azil në BE, i ndjekur nga afganët, venezuelianët dhe kolumbianët.
Në raport me popullsinë Shqipëria ka numrin më të lartë të azil kërkuesve. Ukraina, një vend në luftë me popullsi rreth 40 milionë banorë kishte vetëm 1295 aplikime për azil në muajin maj, ndërsa Shqipëria 960 persona.
Azili është një formë e mbrojtjes ndërkombëtare e dhënë nga një shtet në territorin e tij. I jepet një personi që është në pamundësi për të kërkuar mbrojtje në shtetin e tij vendbanimit, veçanërisht nga frika se do të persekutohet për arsye të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik. Por azilantët shqiptarë në një masë të madhe janë për nevoja ekonomike.
Azilantët për herë të parë përfaqësojnë një shumicë të madhe (rreth 90 %) të numrit të përgjithshëm të aplikantëve për azil në BE. Në maj 2022, kishte 63 105 azilkërkues për herë të parë që aplikonin për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të BE-së.
Shumica e azilkërkuesve për herë të parë ishin burra nga 18 deri në 34 vjeç, të cilët përbënte 40 % të numrit total të aplikantëve për herë të parë.
Në mesin e të miturve, shumica e fëmijëve ishin më pak se 14 vjeç me një përqindje të ngjashme djemsh dhe vajzash.
Emigracioni i lartë në vendin tonë tani po kthehet në një problem të mprehtë ekonomik. Pasi ikja me ritme të larta e moshave të reja përveçse është kthyer një problem për fuqinë punëtore po ndikon negativisht edhe konsumin./ Monitor