Në Bërdo të Sllovenisë mbahet sot samiti i Procesit Brdo-Brijunit, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor. Të pranishëm janë presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç.
Në fjalën e tij Presidenti Bajram Begaj është shprehur se zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen. Sipas tij europianizimi i Ballkanit Perëndimor kërcënohet seriozisht nga aktorë të tretë
Presidenti Begaj foli edhe për sulmet e fundit kibernetike, të cilat i konsideroi si dëshmi e kërcënimeve të rrezikshme nga aktorët e tretë për paqen dhe stabilitetin e rajonit
“Lufta në Ukrainë është një pikë kthese për qasjen e BE-së ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor. Agresioni rus, paqja dhe siguria s’mund të merren si të mirëqena. Lufta në Ukrainë po riformëson skenën ndërkombëtare gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike”, tha ndër të tjera Begaj.
Samiti i Procesit Brdo-Brijunit do të ketë në fokus situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’iu bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.\ Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, aso kohe kryeministër i Sllovenisë. Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.