Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën e njohur gjermane Frankfurter Allegemeine Zeitung ka deklaruar se në dhjetor të këtij viti, Kosova do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kurti zbuloi se Kosova do të jetë në mesin e Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ukrainës të cilat po ashtu do të dorëzojnë kërkesën e tyre për anëtarësim në BE.
Sa i përket marrëveshjes së arritur me Serbinë për të mos zbatuar fazën e dytë të vendimit të targave, Kurti tha se kjo lëvizje ishte bërë jo vetëm për depërshkallëzim të tensioneve por edhe për fillimin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për penalizimin e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Këtë e bëmë jo vetëm për të de-përshkallëzuar, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të negociatave për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se këto negociata duhet të përfundonin para pranverës së vitit 2023 duke zbuluar se ky kishte qenë qëllimi i vërtetë i kompromisit me Serbinë.