Kryeministri i Kosovës ka reaguar pasi Parlamenti dhe Këshilli Evropian arritën dje marrëveshjen që do t’i lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së, kjo në të njëjtën ditë kur u nënshkrua dhe aplikimi i Kosovës në BE.
“Sot, kur Republika e Kosovës bëri hapin e saj të parë drejt anëtarësimit në BE, Këshilli dhe Parlamenti i Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë deri në janar të vitit 2024, konfirmim më i madh i progresit tonë në agjendën e reformave të BE-së”, shkroi Kurti në Twitter.
Ditën e sotme, pritet që kryeministri Albin Kurti t’i dorëzoj zyrtarisht Presidencës Çeke të BE-së aplikimin e Kosovës për në BE.
Sipas agjendës, Albin Kurti, i cili shoqërohet me delegacion, do të pritet në Zyrën e Qeverisë së Republikës Çeke, nga ministri për Çështjet Evropiane, ndërsa pas takimeve do të ketë konferencë e përbashkët për media.
Parlamenti dhe Këshilli Evropian arritën marrëveshjen për udhëtimin pa vizave të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Në emër të PE-së negociata i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten nga Holanda.
Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë rajon të Evropës