Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it Lars Gunnar Wigemark.
Takimi vjen një ditë pas incidentit me armë zjarri pranë një patrullë të KFOR-it në Zubin Potok. Nga Zyra e Kryeministrit bëhet me dije se u diskutua për situatën në veri. “U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend”.
Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.
Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
Në takim u theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Punëve te Brendshme Xhelal Svecla.