KOSOVË-Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi është kërcënuar me jetë. Sipas mediave të Kosovës, vetë ministri Krasniqi, ka deklaruar se është kërcënuar nga sekretari i kësaj ministrie, Burim Rreci.
“Po jam kërcënuar nga sekretari i MTI-së, Burim Rreci”, ka thënë Krasniqi.
Ministri ka deklaruar se lidhur me këtë rast ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës.
“Tani jam në takim me zyrtarë policorë hetues pikërisht për këtë çështje”, ka thënë ai.
Tri ditë më parë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka rikthyer në punë Sekretarit e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Burim Rreci. Rreci është kthyer në punë pas një pezullimi në shtator të këtij viti nga ministri Krasniqi nën arsyetimin se deri te ky vendim ka ardhur për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e sekretarit. Mirëpo pas një vendimi, ministri Krasniqi është detyruar ta rikthen në vendin e tij të punës së mëparshme sekretarin Rreci.